Tiranë, 16 qershor 2014 – Shqiptarët kanë tani një mënyrë për të raportuar thjesht dhe shpejt raste trafikimi apo të dyshuara si të tilla. Ata mund të dërgojnë në mënyrë anonime një mesazh të shkurtër i cili u shkon menjëherë dhe njëkohësisht 6 zyrtarëve të ndryshëm publikë ose mund të telefonojnë falas 116 006.
Mbështetur nga USAID dhe NetHope, aplikacioni “Raporto! Shpëto!” për telefonat smart androidë u prezantua sot për publikun, në Tiranë. Ai mund të shkarkohet si çdo aplikacion tjetër nga Google Play Store, lehtësisht dhe falas, dhe është i përshtatshëm për shumicën e telefonave celularë në Shqipëri. Njëkohësisht u prezantua për herë të parë edhe linja telefonike kombëtare 116 006 për të denoncuar rastet e trafikimit apo ato të dyshuara. Linja ofrohet falas dhe mund të përdoret nga çdo telefon, qoftë celular apo fiks. Thirrja shkon menjëherë në zyrën operative të Departamentit të Përgjithshëm të Policisë, në Tiranë. Të dy shërbimet ofrohen nga të gjithë operatorët e telefonisë në Shqipëri.
Prezantimi i linjës telefonike kombëtare dhe i aplikacionit “Raporto! Shpëto!” u bë sot, gjatë një konference organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme/Zyra e Koordinatorit Kombëtar Kundër Trafikimit, organizata World Vision dhe Fondacioni Vodafone Albania.
Aplikacioni dhe linja telefonike synojnë të mbështesin të gjithë ata që kanë rënë pre e trafikut apo që janë të rrezikuara të bien pre. Projekti quhet “Adresimi i Trafikimit të Qenieve Njerëzore përmes zgjidhjeve të teknologjisë celulare” dhe financohet nga USAID dhe NetHope.
Aplikacioni “Raporto! Shpëto!”
Projekti për aplikacionin sapo mbylli një fazë testimi prej 10 javësh ku morën pjesë 59 përdorues pilotë. Studentë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe përfaqësues zyrtarë ishin të gjithë pjesë e kësaj faze, në mënyrë që të testonin plotësisht Linjën Telefonike Kombëtare 116 006 dhe aplikacionin “Raporto! Shpëto!”.
Një nga pikët më të forta të aplikacionit, përveç të qenurit shumë i thjeshtë, është edhe fakti që raporti i dërguar shkon menjëherë te 6 përfaqësues autoritetesh të ndryshme. Sipas organizatorëve të konferencës, kjo u krijon atyre mundësinë të nisin drejtpërdrejt së bashku ndjekjen e çdo rasti.
Dy janë mënyrat sesi aplikacioni mund të përdoret për të raportuar rastet: së pari duke dërguar një mesazh të shkurtër. Së dyti, duke telefonuar direkt 116 006, i cili del automatikisht sapo hapet aplikacioni. Ky i fundit ka njëkohësisht dritare plot informacione dhe histori të vërteta trafikimi në Shqipëri, për t’i ndihmuar përdoruesit të kuptojnë më mirë trafikimin dhe rëndësinë jetike të raportimit të tij. Njëkohësisht në aplikacion gjendet edhe lista e shërbimeve sociale dhe qendrave që mund të japin ndihmë menjëherë, sipas çdo rrethi të Shqipërisë. Pjesët përbërëse të aplikacionit (sapo e hapni në telefonin tuaj) janë:
*Telefono linjën (thirrja shkon menjëherë në zyrën operative, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë)
*Raporto trafikimin (mesazhi i shkon mënjehërë 6 punonjësve zyrtarë, nga institucione të ndryshme – Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Njësia Antitrafik, Shërbimi Social….
*Lista e shërbimeve (lista e emrave dhe vendodhjeve të shërbimeve sociale)
*Harta e shërbimeve (shërbimet përkatëse sociale më pranë vendit ku po ndodh raportimi)
*Informacion (material edukuese mbi trafikimin e qenieve njerëzore, kuadri ligjor, histori trafikimi etj)
Linja telefonike 116 006
Linja telefonike kombëtare 116 006 ofrohet falas nga të gjithë operatorët në Shqipëri, celularë dhe fiksë. Butoni “Telefono linjën!” shfaqet menjeherë sapo hapet aplikacioni dhe përdoruesi nuk ka pse të formojë ndonjë numër, në rastin e smartphonëve android. Por linja përdoret falas edhe nga telefonat fiksë, mjafton që i interesuari të formojë numrin 116 006. Thirrja e tij shkon menjëherë në sallën operative të Drejtorisë së Përgjithshme, në Tiranë ku pritet nga punonjës të trajnuar për të reaguar me shpejtësi. Në të gjitha rastet, numri telefonik i personit që dërgon mesazh apo që telefonon, ngelet anonim për punonjësit zyrtarë sepse aplikacioni është ndërtuar i tillë që të mbrojë automatikisht identitetin. Ky është një tjetër element që besohet të rrisë numrin e raportuar të rasteve të trafikimit.
Pas telefonatës apo mesazhit të dërguar, tek personi i trafikuar apo i rrezikuar nga trafiku do të mbërrijnë me shpejtësi një polic dhe një punonjës i Shërbimit Social, të cilët do ta marrin atë në mbrojtje.
Pse një aplikacion për telefonat smart android?
Përdorimi i teknologjisë celulare për të raportuar raste trafikimi është identifikuar si një mënyrë potencialisht e suksesshme në Shqipëri. Bazuar në këtë përvojë si dhe në zhvillimet e fundit teknologjike, që po përdoren në fushat shoqërore dhe politike, organizata World Vision, Ministria e Punëve të Brendshme dhe fondacioni Vodafone Albania propozuan të rrisin njohuritë e shqiptarëve sesi mund të përdorin me sukses kundër trafikimit aplikacionin për telefonat. Kjo nismë u përshëndet nga qeveria e Shqipërisë.
Ministria e Punëve të Brendshme, organizata World Vision dhe fondacioni Vodafone Albania zyrtarizuan bashkëpunimin e tyre dhe bashkuan përpjekjet për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore duke firmosur Memorandumin e Mirëkuptimit. Përmes tij, ata ranë dakord që bashkëpunojnë nëpërmjet projektit “Adresimi i Trafikimit të Qenieve Njerëzore përmes zgjidhjeve të teknologjisë celulare” që financohet nga USAID dhe NetHope.
Per me shume te dhena, ju lutem kontaktoni:
Elda Spaho Bleta
Communications Advocacy Officer
World Vision in Albania & Kosovo
Office Phone: +355 4 22 58 333/4| Mobile: + 355 68 5015224| Email:
elda_spaho@wvi.org |
| Main office address: : World Vision, “Asim Vokshi” Street, USLUGA
Complex, Tirana, Albania|
| Mailing address: P.O.Box 1725 Tirana, Albania|
meero.worldvision.org