Korçë – Me një ceremoni të veçantë, ka nisur zyrtarisht edicioni më i ri i Korça ICT Academy – Code for Albania 2025, një ndër programet më gjithëpërfshirëse të edukimit teknologjik për të rinjtë në Shqipëri. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Drejtoresha Ekzekutive e World Vision Albania, Eljona Elmazi duke treguar mbështetjen e fortë të organizatës për fuqizimin e brezit të ri përmes aftësimit teknologjik.
Edhe këtë vit, programi ka bërë bashkë 100 të rinj të përzgjedhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, të pasionuar pas teknologjisë, kodimit dhe inovacionit. Për dy javë, nga data 14 deri më 27 korrik, Korça është shndërruar në një qendër energjike të mësimit, zhvillimit të aftësive digjitale dhe bashkëpunimit rinor.

Pjesëmarrësit do të përfitojnë nga mbi 80 orë trajnime praktike, të zhvilluara nga instruktorë ndërkombëtarë nga Stanford University dhe institucione të tjera prestigjioze të SHBA-së dhe Kanadasë. Trajnimet përfshijnë kodim, krijimin e aplikacioneve dhe zgjidhjen e problemeve reale, me një qasje të avancuar ndërdisiplinore që synon të zhvillojë mendimin kritik dhe kreativitetin.
Veç trajnimeve, programi ofron edhe mentorim individual gjatë gjithë vitit, përmes workshop-eve që do të organizohen çdo 3-4 javë. Kjo strukturë mundëson ndërtimin e lidhjeve të forta midis të rinjve shqiptarë dhe profesionistëve të suksesshëm në industrinë globale të teknologjisë.
World Vision Albania, si një nga partnerët mbështetës të këtij programi, beson se zhvillimi i aftësive teknologjike është kyç për të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve në vend. Përmes projekteve tona në edukim dhe fuqizim rinor, WVA synon të krijojë më shumë mundësi aftësim, punësim dhe orientim në karrierë për brezin e ri.
Korça ICT Academy – Code for Albania 2025 organizohet nga Code.X dhe AlphaPlan, me mbështetjen e Bashkisë Korçë dhe World Vision Albania, dhe është pjesë e një vizioni më të gjerë për të nxitur zhvillimin e një brezi të ri krijues dhe të aftë për të kontribuar në transformimin digjital të Shqipërisë.

