Kampionët e padukshëm të Shqipërisë

DSC_0830_0

Ajo nuk është garuese në lojërat olimpike apo kampionat tjetër, por një kampione në komunitetin e saj. Ajo nuk është e famshme, por të gjithë në lagjen e saj e njohin, pasi është ndër personat më aktivë aty. Asaj i pëlqejnë shumë sportet, sidomos futbolli. Kur ishte e vogël luante me djemtë e lagjes e më pas u bë pjesë e ekipit të shkollës në futboll, volejboll e basketboll. Sportet nuk janë i vetmi pasion. Libri është miku i saj më i ngushtë. Në shtëpi është krahu i djathtë i prindërve. E ëma e përshkruan si “të papërtuar”. Ajo ndihmon prindërit e saj në çdo gjë. Madje – madje, nëse ka mbaruar gjithçka që ajo ka në listën e gjatë të ditës, merr të afërmit në telefon për t’i pyetur nëse u duhet ndihmë prej saj. Ajo është  një model për dy vellëzërit, të cilët po ecin në hapat e saj, por edhe për dhjetra bashkëmoshatarë. Karakterin e saj të fortë e “tradhëton” vetëm dobësia që ajo ka për fëmijët, sidomos ata me aftësi të kufizuara, fëmijët pa prindër dhe ata që përjetojnë dhunë në familje. Kur flet për ta, asaj i mbushen sytë me lot, e fillon e flet për planet që ajo ka për të ndihmuar këta fëmijë.

Maila Qosja është 18 vjeçe dhe prej më se 7 vjetësh ka qenë pjesë e grupeve, me të cilat World Vision ka punuar në Kuqan të Elbasanit. Ajo kujton me nostalgji kohën kur ishte pjesë e Qeverisë së Nxënësve, kur ishte pjesë e klubeve të debatit, kur ishte një edukuese bashkëmoshatare dhe të gjitha aktivitetet e tjera të pafundme. Vitin e fundit ajo është bërë pjesë e klubeve te IMPACT[1], fillimisht si anëtare e klubit e më pas si lidere e tij. Ajo, bashkë me mësuesen e saj, drejtojnë një klub prej afro 30 vetash, përfshi dhe dy vëllezrit e saj. Kur ajo flet për grupin I shkëlqejnë sytë. Megjithatë tregon që nuk ka qenë e lehtë, pasi është dashur shumë kohë e punë që të rinjtë të kuptonin e vepronin për nevojat në komunitet. “Ishin tepër pasivë, dhe një pjesë e madhe vinin në takime vetëm për t’u argëtuar, pasi as nuk kishin motivim e as nuk interes për të ndryshuar komunitetin. Por me kalimin e kohë, dukë u trajnuar, mësuar dhe marrë pjesë në aktivitete, mund të them me krenari që mbase jemi grupi më i konsoliduar”, thotë ajo duke qeshur. “Tani, na vijnë cdo ditë të rinj që duan të përfshihen në grupin tonë.

(Maila, me vellane e saj Saidin, 12 vjec.)

Maila tregon që përpara se të përfshihej në aktivitetet e World Vision, ajo ishte shumë e turpshme edhe për të folur, e jo më për të drejtuar një grup të rinjsh. “Nuk më besohet që tani drejtoj një grup, pasi kur isha me e vogël nuk arrija dot të flisja para të tjerëve. Isha shumë e turpshme. Kanë qenë përfshirja dhe aktivitetet me World Vision që më kanë bërë që të fitoj besim në vetvete, të mos kem turp dhe të guxoj që të marr një pozicion drejtues” – thotë ajo.

Maila tregon se një nga arsyet kryesore pse përfshihej në aktivitetet sociale më parë, ishte përfitimi dhe rritja e njohurive të saj. “Të qenit pjesë e klubit IMPACT e sidomos drejtuese, e ka ndryshuar këtë gjë plotësisht tek unë. Tani në cdo moment mendoj se si të nxjerr më të mirën nga të tjerët, se si të tjerët të aktivizojnë e të shprehin talentet e tyre”. [1]

Shpërblimi më i madh për të është ku shikon anëtarët e rinj të grupit, të jenë të përkushtuar ndaj fëmijëve në nevojë, kur ata i ndihmojnë të ngrihen, e kur u ofrojnë dashuri gjatë projekteve të ndryshme që grupi merr.
 
(Gjate kampeve verore)

Deri tani ata kanë punuar së bashku për dhjetra fëmijë të komunitetit të tyre, duke u ofruar një verë ndryshe, përmes kampeve që kanë realizuar. “Ky është vetëm fillimi – thotë Maila, pasi nevojat janë shumë të mëdha e potenciali ynë gjithashtu. Po planifikojmë që të ndihmojmë fëmijët me aftësi të kufizuara duke shkuar në shtëpitë e tyre për t’i ndihmuar me mësimet, të ndërgjegjësojmë bashkëmoshatarët tanë për librin, pasi kalojnë shumë kohë në internet, si dhe të pasurojmë bibliotekat e shkollës. Gjithashtu duam që të ngremë një grup animatorësh social, që fëmijët të argëtohen në aktivitetet tona.”

Planet e saj afatshkurtra janë fillimi i universitetit, forcimi i mëtejshem i grupit që ajo drejton dhe realizimi i projekteve të reja. Përpos kësaj, ajo ka dhe një ëndërr të fshehur në sirtar.  Ajo dëshiron të hapë një qendër në Kuqan, në ndihmë të fëmijëve të pastrehë, atyre pa prindër dhe që përjetojnë dhunë në familje. Madje, kur flet për universitetin apo punën ideale, ajo i vë në funksion të kësaj dëshire të fshehur në zemër.

[2] 55.6% e të rinjve raportojnë mundësi të kufizuara për kalimin e kohës së tyre në mënyrë konstruktive. Të dhënat cilësore dhe sasiore tregojnë se shkolla, komuniteti dhe mjedisi familjar nuk u ofrojnë të rinjve mundësitë dhe hapësirën për t’u angazhuar në aktivitete me natyrë sportive, artistike, krijuese dhe shpirtërore. “Identiteti pozitiv” është një fushë tjetër ku 25.3% e të rinjve janë duke u përballur me sfida. Të rinjtë thonë se hasin vështirësi të kenë/gjejnë një qëllim në jetën e tyre dhe besojnë se e ardhmja është jashtë kontrollit të tyre.

(Maila, gjate nje aktiviteti me klubin e saj.)

Për këtë arsye, World Vision punon përmes programit të Rinisë në 10 rrethe të vendit, ku vetëm në  2015  kanë përfituar nga ky program 5.338 të rinj, nga të cilët 539 janë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë. Këta të  rinj janë të organizuar në 27 klube IMPACT-i në të gjithë Shqipërisë. Ky program është përqendruar në katër përbëres: (i) Ndërtimin e themeleve për zhvillim personal, (ii) Mbështetjen e të rinjve për t’u organizuar në grupe lokale, (iii) Mobilizimin e grupeve rinore për të ndërmarrë nisma avokatie në terren dhe (iv) Gatishmërinë e të rinjve për mundësi ekonomike.

[1]  IMACT (Involvement, Motivation, Participation, Active, Community, Teens – Pëfshirje, Motivim, Pjesëmarrje, Aktiv, Komunitet, Rini)


[2]  Raporti i Mirëqënies së Fëmijëve, World Vision Albania, 2015: http://wvi.prod.acquia-sites.com/albania/publication/child-well-being-su…