“Jo drogë! Pikë Grumbullimi! Një alternativë e qendrueshme zhvillimi për të rinjtë dhe komunitetet në Librazhd” është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Bashkia Librazhd në bashkëpunim me World Vision Albania.
Objektivi i përgjithshëm i projektit është aktivizimi i komunitetit të Librazhdit në eliminimin dhe parandalimin e kultivimit të drogave të paligjshme nëpërmjet masave të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik rural, që përmirësojnë cilësinë e përgjithshme të jetës dhe sigurinë e qytetarëve.
Ndërtimi i një Pike Grumbullimi, ndërgjegjësimi i fermerëve për të prodhuar për shitje, dhe ngritja e kapaciteteve të të rinjve për të filluar aktivitete që gjenerojnë të ardhura të ligjshme si biznese familjare, janë tre shtyllat kryesore të aksionit.
Projekti mbështet në total 360 fermerë, të cilët janë trajnuar për rritjen e cilësisë dhe sasisë së produktit si dhe mundësisë për të patur kontrata shitje me Pikën e Grumbullimit (Food Hub). Ndërkohë që 1500 të rinj kanë marrë informacionin për riskun e përfshirjes në aktivitete të paligjshme apo të përdorimit të tregtimit të substancave narkotike.