Çdo ditë në Prrenjas, mesatarisht 7 fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara marrin shërbim të specializuar në ambientet e Qendrës Komunitare për Shërbime ndaj Aftësisë së Kufizuar. Për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara që jetojnë në fshatrat e largët dhe nuk kanë mundësi të frekuentojnë ambientet e Qendrës Komunitare, ekipi i specialistëve ofron shërbim në shtëpitë e tyre. Mesatarisht, çdo ditë, 8 fëmijë me aftësi të kufizuara marrin shërbime të specializuara në logopedi, fizioterapi dhe terapi zhvillimi në shtëpitë e tyre.
15 Qershor 2023 – Fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara në Prrenjas kanë tashmë në dispozicion një Qendër Komunitare për Shërbime ndaj Aftësisë së Kufizuar, ku mund të marrin shërbime të specializuara në varësi të nevojave që ata kanë.
Në inaugurimin e hapësirës së dizenjuar për të ofruar shërbime të specializuara në logopedi, fizioterapi dhe terapi zhvillimi, ishte e pranishme ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann, drejtoresha ekzekutive të World Vision Albania, Eljona Elmazi, kryetari i Bashkisë Prrenjas, Nuri Belba, si dhe prindër, fëmijë dhe profesionistë të gjithëpërfshirjes.
Investimi është bërë i mundur në kuadër të projektit me të njëjtin emër “Qendër Komunitare për Shërbime ndaj Aftësisë së Kufizuar”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga World Vision Albania në bashkëpunim me bashkinë Prrenjas.
Projekti mbështet në total 180 fëmijë/të rinj me aftësi të kufizuara, ndërsa aktualisht 67 prej tyre marrin shërbim të specializuar çdo javë në varësi të nevojave që ata kanë, mbështetje që ofrohet në 3 aspekte:
- Në shtëpitë e fëmijëve, përmes njësisë lëvizëse të specialistëve;
- Në ambientet e Qendrës Komunitare përmes njësisë së dytë të specialistëve;
- Si dhe në shkolla, përmes profesionistëve të gjithëpërfshirjes (mësues ndihmës, punonjës socialë, psikologë), të cilët edhe janë trajnuar.
Gjithashtu, projekti mbështet me këshillim, trajnime dhe bazë materiale edhe prindërit e fëmijëve/ të rinjve me aftësi të kufizuara, ndërsa 50 profesionistë të gjithëpërfshirjes janë trajnuar për të arritur rezultate cilësore në punën me fëmijët/të rinjtë me aftësi të kufizuara.
Pjesë e projektit janë edhe 15 të rinj të trajnuar, të cilët në mënyrë vullnetare kanë nisur të zbatojnë një model të përfshirjes sociale, duke organizuar aktivitete të ndryshme të përshtatura për nevojat e fëmijëve/të rinjve me afësi të kufizuara, si dhe për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me nevojat për gjithëpërfshirje të këtij target grupi. Të gjithë të pranishmit nënvizuan se çdo fëmijë ka të drejtë për të patur akses në shërbime cilësore, në mënyrë që të zhvillohet, të ndjehet i barabartë dhe ta jetojë jetën në plotësi.