“Bletarinë e kam me shumë dëshirë pasi e kam pasur edhe traditë familjare. Por, gjithashtu për kushtet e mia shëndetësore është ndoshta e vetmja punë që unë mund të bëj. Dëshira ime është që brenda dy vitesh të kem rreth 30 koshere.”- kështu e nis rrëfimin e tij Hasani, babai I tre fëmijëve.
Hasani së bashku me familjen e tij prej pesë anëtarësh në vitin 2015 vendosën të emigrojnë drejt Gjermanisë ku aplikuan për të përfituar azil ekonomik. Arsyeja kryesore që i nxiti të merrnin këtë vendim ishte papunësia dhe vështirësitë ekonomike në Shqipëri, por edhe vala e madhe e emigrimit me të cilën u përball vendi ynë atë periudhë. Fillimisht u vendosën në një kamp refugjatësh dhe më pas u zhvendosën në një banesë sociale. Të tre fëmijët e kësaj familjeje në kohën kur prindërit morën vendimin për t’u larguar nga Shqipëria ishin në shkollë dhe u detyruan që përkohësisht t’i ndërprisnin mësimet. Djali i madh ishte 17 -vjeç dhe në momentin e emigrimit la në mes vitin e fundit të gjimnazit, po ashtu ndërprenë shkollën edhe vajza 14 -vjeçe dhe djali i vogël 12 -vjeç.
Familja e Hasanit qëndroi në Gjermani për 18 muaj dhe gjatë kësaj kohe fëmijët mësuan gjuhën gjermane dhe rifilluan shkollën. Ndërsa për Hasanin dhe bashkëshorten e tij integrimi dhe përshtatja në një vend të huaj ishte shumë e vështirë. Ata kishin vështirësi në mësimin e gjuhës gjermane dhe mungesa e komunikimit nuk u jepte mundësi të socializoheshin apo të angazhoheshin me ndonjë aktivitet për të kaluar kohën. Në vitin 2017 ata marrin përgjigje negative në aplikimin për azil dhe e gjithë familja u rikthye në Shqipëri. Fëmijët me shumë vështirësi e rifilluan edhe njëherë shkollën në Shqipëri, ndërsa për Hasanin dhe bashkëshorten e tij ishte tejet e vështirë gjetja e një pune. Prandaj një vit më vonë Hasani vendosi të shkojë edhe njëherë në Gjermani, por këtë rradhë pa familjen e tij. Atje punoi ilegalisht në ndërtim për dy muaj dhe pas një problemi shëndetësor, u kthye sërish në Shqipëri për të mos e provuar më largimin nga vendi. Për shkak të problemit të tij shëndetësor, pas kthimit në Shqipëri e kishte shumë të vështirë të bënte punë të rënda fizike, ndërkohë që shpenzimet e familjes ishin rritur pasi vajza filloi studimet e larta. E vetmja e ardhur e familjes ishte puna e bashkëshortes në fasoneri dhe dhe disa të ardhura që mund të siguronte djali i madh në punë të ndryshme ditore.
Periudha e pandemisë ishte shumë e vështirë për familjen e Hasanit. Si pasojë e masave anti-covid dhe izolimit, bashkëshortja dhe djali i tij mbetën pa punë dhe e gjithë familja mbeti pa asnjë burim të ardhurash. Gjatë kësaj periudhe Hasani u kontaktua nga koordinatori lokal i projektit RE-IN-VEST në Bashkinë Kamëz i cili kontaktin e familjes e kishte marrë tek zyra sociale e Bashkisë Kamëz si një familje e rikthyer nga emigrimi me vështirësi ekonomike. Projekti i cili po iu vjen në ndihmë familjeve të rikthyera të po përballen me shumë vështirësi jetese, fillimisht e mbështeti familjen e Hasanit me paketa ushqimore dhe higjienike dhe më pas kur masat e pandemisë filluan të lehtësohen, së bashku me familjen e tij morën pjesë në disa aktivitete psiko-sociale siç ishte “Celebrating Families”. Po ashtu Hasani ndoqi me shumë interes edhe trajnimet e ofruara nga projekti për të nisur një sipërmarrje. Duke marrë në konsideratë kushtet e tij shëndetësore që nuk i lejonin punë të rënda fizike me orare të zgjatura por edhe traditën familjare ai vendosi të aplikonte për të përfituar grant me idenë e bletarisë, e cila rezultoi fituese.
Hasani u regjistrua si fermer dhe projekti i mundësoi blerjen e 13 koshereve të para me bletë, veshjeve mbrojtëse dhe mjetet e tjera të nevojshme për të ushtruar këtë aktivitet. Hasani mezi po pret ta zgjerojë aktivitetin e tij. “Bletarinë e kam me shumë dëshirë pasi e kam pasur edhe traditë familjare. Por gjithashtu për kushtet e mia shëndetësore është ndoshta e vetmja punë që unë mund të bëj. Dëshira ime është që brenda dy vitesh të kem rreth 30 koshere dhe mjalti qe do të vjel nga ato është sa një rrogë mujore për mua,”- shprehet Hasani. Ai është shumë optimist se ky aktivitet ka për të pasur sukses dhe do të jetë një burim i mirë të ardhurash për familjen e tij.
Projekti RE-IN-VEST financohet nga Qeveria Gjermane, mbështetet nga GIZ Albania dhe zbatohet nga World Vision Albania në partneritet me Diakonia Agapes. Ky projekt synon të mbështesëfamiljet e rikthyera nga emigracioni në 10 bashki të Shqipërisë në procesin e së tyre socio-ekonomike.