Historia frymëzuese e Brisildës, 17 vjeçarja që angazhohet si vullnetare me fëmijët

Brisildën nga Tirana e gjejmë mes 100 vogëlushëve që po ndjekin kampin e radhës të mundësuar nga World Vision Albania. Edhe pse vetëm 17-vjeçe, ajo gjendet aty jo si një fëmijë, por si një e rritur që përkujdesët për fëmijët. E butë, por entuziaste, e përulur, por me karakter të fortë, Brisilda është gjithnjë e vëmëndshme ndaj fëmijëve dhe me një buzëqeshje të ëmbël në fytyrë. Fëmijët e dëgjojnë me vëmendje, e ndjekin gjatë gjithë kohës me sy dhe janë të përfshirë në aktivitetet që 17-vjeçarja drejton. Shkrihet natyrshëm mes tyre dhe e vetmja gjë që e dallon është bluza e vullnetarit.

Hapat e parë në kampin veror

Sot, Brislida është një e re që sheh nga e ardhmja, por ajo ishte vetëm 11 vjeçe kur nisi rrugëtimin e saj me World Vision Albania. Një ndër eksperiencat e para me organizatën ishte pjesëmarrja në kampet verore të World Vision Albania. Një udhëtim që nisi si një fëmijë dhe sot ka ardhur deri në një pikë ku ajo vetë shërben si vullnetare, duke dhënë dashuri e përkujdesje për fëmijët e tjerë.

“Kampi i parë për mua ka qenë një miks emocionesh: sa i bukur, aq edhe sfidues. Më kujtohen momentet e bukura kur korrnim fitore pas gjithë mundit dhe lodhjes në aktivitete, por mbi të gjitha më emociononin netët kur mblidheshim bashkë dhe reflektonim mbi çdo veprim të ditës. Ka qenë një eksperiencë e paharrueshme, ku mësonim përmes argëtimit, krijonim kujtime pozitive, por edhe njiheshim me miq të rinj” – rrëfen Brisilda.

Ky përjetim i parë i hapi rrugën një dashurie që do të rritej vit pas viti, dëshirës për t’u kujdesur për fëmijët, njësoj siç stafi i World Vision Albania ishte kujdesur dikur për të. Ndoshta, pa e ditur, kjo eksperiencë kishte formësuar edhe të ardhmen e saj.

Nga pjesëmarrëse, në vullnetare

Këtë verë, Brisilda u bë pjesë e stafit vullnetar të kampit, duke përjetuar ndryshe atë eksperiencë që dikur i kishte lënë kujtime të paharrueshme. Nuk i fsheh aspak emocionet dhe gëzimin e madh që ka ndërsa jep kontributin e saj për fëmijët.

“Duke parë mënyrën se si stafi sillej me ne, lindi tek unë dëshira për të bërë të njëjtën gjë. Sot ndihem shumë mirë që jam pjesë e World Vision si vullnetare. Kam mall e nostalgji për eksperiencat e kaluara, por edhe një gëzim të madh që tani unë jap kontributin tim për fëmijët.”

Ndonëse vullnetarizmi nuk është diçka e zakonshme, Brisilda e sheh atë si një mundësi për të fituar eksperiencë, për të ndihmuar të tjerët, për të gjetur kuptim personal dhe për të ndërtuar kujtime e miqësi që zgjasin.

“Besoj se vullnetarizmi, në mënyrë të veçantë me dhe për fëmijët, krijon ura mes brezave, u jep të rinjve aftësi për të ardhmen dhe mbjell tek ata dashurinë për fëmijët dhe komunitetin.”

Rritja përmes grupeve rinore

Gjithsesi, kampet verore janë vetëm një aspekt i angazhimit të Brisildës me World Vision Albania. Vetë 17 vjeçarja, vlerëson pjesëmarrjen aktive në grupet rinore IMPACT si një pikë kthese në jetën e saj. Ajo tregon se ka fituar besim tek vetja, ka mësuar të shprehë mendimet pa frikë dhe të marrë iniciativa.

“Kam mësuar aftësi komunikimi, punë në grup, organizim aktivitetesh dhe menaxhim kohe. Gjithashtu, kam mësuar si të dëgjoj dhe të respektoj mendimet e të tjerëve. Më e bukura është që kam arritur të motivoj bashkëmoshatarët e mi të jenë aktivë dhe të kuptojnë se çdo veprim i vogël mund të bëjë ndryshim.” – tregon Brisilda, e cila e sheh veten më të përgatitur për të marrë përgjegjësi më të mëdha, ndoshta duke punuar në projekte për të rinjtë ose duke vazhduar punën si vullnetare në shkallë më të gjerë. 

Mesazhi për të rinjtë

Brisilda beson në potencialin e të rinjve. Ajo e sheh angazhimin e tyre si thelbësor për zhvillimin e shoqërisë dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme.

“Mos kini turp të njiheni me njerëz të rinj dhe shijoni çdo moment, sepse këto ditë do t’ju mbeten kujtime të çmuara. Filloni nga gjërat e vogla, sepse ato kanë efekt të madh. Mos prisni që dikush tjetër ta bëjë ndryshimin për ju, bëhuni ju shembulli.” – thotë Brisilda, në një mesazh drejtuar bashkëmoshatarëve të saj.

Ëndrrat për të ardhmen

Brisilda nuk ka mëdyshje për të ardhme e saj, pasi ajo e lidh pashmangshmërisht me fëmijët. Ajo ëndërron të studiojë Psikologji dhe të punojë me fëmijët që kanë nevojë për mbështetje psikologjike. Me përvojën që ka marrë në World Vision Albania, e reja thotë se ndihet e përgatitur për të marrë përgjegjësi më të mëdha dhe për të vazhduar të japë kontributin e saj si vullnetare.

“Një nga gjërat më të veçanta te World Vision është mënyra se si të gjithë ndihen pjesë e familjes dhe fakti që çdo zë, pavarësisht moshës, dëgjohet e vlerësohet. Është për t’u përgëzuar mundësia që kjo organizatë i jep çdo fëmije për t’u përmirësuar, për të mësuar diçka të re dhe për të marrë kujtime të paharrueshme.” – e mbyll mesazhin e saj Brisilda.

Ndërsa ne largohemi nga kampi, të frymëzuar jo vetëm nga angazhimi shembullor i Brisildës, por edhe gëzimi që shohim në sytë e 100 fëmijëve, 17 vjeçarja vrapon drejt vogëlushëve.

Është shumë e qartë. Përkujdesi për fëmijët, është një dëshirë që vjen prej zemrës së saj. Ndoshta, sepse ishte pikërisht një ditë, kur ajo ishte shumë e vogël, që dikush i dha dorën dhe u përkujdes për të.

Sot është koha për ta kthyer mbrapsht këtë dashuri.

Dhe Brisilda po e bën.

Pa zhurmë!

Pa kërkuar vëmendje!

Me zemër!

Alfons Çupaj – PR and Communications, World Vision Albania