Organizata World Vision Albania, në bashkëpunim me Bashkinë Durrës dhe me mbështetjen e World Vision SHBA po zbaton projektin “Fuqizimi ekonomik përmes blegtorisë: Një udhëtim shprese dhe prosperiteti” me një kohëzgjatje prej 36 muajsh në territorin e Bashkisë Durrës.
Projekti është hartuar si një ndërhyrje në disa nivele, me qëllim mbështetjen dhe fuqizimin ekonomik të 200 familjeve në nevojë dhe 620 fëmijëve, në njësitë administrative të Bashkisë së Durrësit, për të siguruar qasje në tregun e prodhimit blegtoral dhe për të garantuar të ardhura të qëndrueshme.
Të gjitha aktivitetet e përshkruara më sipër do të zhvillohen në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me sektorët e bujqësisë dhe veterinarisë në Bashkinë Durrës.
Objektivi i përgjithshëm i projektit është rritja e mirëqenies së 620 fëmijëve duke forcuar sigurinë ushqimore dhe jetesën e qëndrueshme për 200 familje të cënueshme dhe komunitetet e tyre, nëpërmjet përmirësimit të prodhimit blegtoral dhe aksesit në treg.
Ndërhyrjet kryesore dhe rezultatet e pritshme të projektit janë:
- Përmirësimi i kohezionit social ndërmjet familjeve (gra, burra, të rinj) në zonat e synuara të Bashkisë Durrës;
- Rritja e prodhimit të blegtorisë dhe fermës, përmirësimi i sigurisë ushqimore të blegtorisë;
- Përmirësimi i të ardhurave të qëndrueshme të 200 familjeve dhe lidhja efektive midis grupit të synuar dhe shitësve lokalë për qëndrueshmërinë në të ardhmen.
Aktivitetet kryesore që do të zbatohen gjatë kohëzgjatjes së projektit janë si më poshtë:
1.Vlerësimi i detajuar i territorit për të identifikuar familjet përfituese, kullotat e zonës dhe kushtet klimatike të zonës. Vlerësimi i territorit do të sigurojë informacion lidhur me nevojat e komunitetit lokal, burimet ekzistuese, mjetet e jetesës dhe çdo përvojë të mëparshme që fermerët e zonës kanë në lidhje me blegtorinë. Do të analizohen gjithashtu llojet e blegtorisë që janë më të përshtatshme për zonën dhe nevojat e familjeve. Analiza do të përfshijë gjithashtu një vlerësim të tregut dhe të varietetet e racës së lopëve dhe dhive.
2.Krijimi i rrjetit me palët e interesuara në nivel lokal dhe nënshkrimi i një Marrëveshjeje Mirëkuptimi me përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, drejtorë të agjencive bujqësore, profesorë të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, për përfshirjen e të gjithë palëve në procesin e zbatimit.
3. Identifikimi dhe përzgjedhja e familjeve fermerë përfituese të projektit. 200 familje të prekura në njësitë administrative të Bashkisë së Durrësit do të identifikohen dhe përzgjidhen në bashkëpunim me Bashkinë Durrës, bazuar në kriteret që do të përcaktohen në përputhje me prioritetet e Strategjisë së World Vision 2023-2026, si pjesë e përfituesve të projektit.
4.Ngritja e kapaciteteve të familjeve përfituese në kuadër të kurrikulës së World Vision “Empowered World View”. Përmes ofrimit të moduleve të përzgjedhura të kurrikulës “Empowered World View”, projekti synon të lehtësojë dhe mbeshtesë familjet përfituese në identifikimin e vizionit për zhvillim të qëndrueshëm të tyre. Po ashtu, synohet përmirësimi i praktikave bujqësore dhe blegtorale në menaxhimin e burimeve natyrore komunitare.
5.Rritja e kapaciteteve të familjeve sipas nevojave të tyre do të realizohet përmes Programit të Ndërtimit të Kapaciteteve dhe përfshin disa module (menaxhimi i bagëtive, ushqimi dhe shëndeti i kafshëve, ndryshimet klimatike dhe menaxhimi i fatkeqësive).
6.Mbeshtetja e familjeve përmes ndihmës direkte me blerjen dhe shpërndarjen e bagëtive nga WVA për familjet e prekura në njësitë administrative të Bashkisë së Durrësit.
7.Përshtatja e infrastrukturës për blegtorinë dhe mbështetja e fermerëve me mjete për t’i ndihmuar familjet në ndërtimin/përmirësimin e infrastrukturës së stallave, me qëllim përmirësimin e mirëqenies së bagëtive duke i mbrojtur ato nga kushtet e pa favorshme të motit, për të nxitur një jetë të qëndrueshme për familjet e përfituara.
8.Sesione informimi me nënat mbi diversitetin dietik në bashkëpunim me Qendrat Shëndetësore. Ky aktivitet do të organizohet në partneritet me qendrat shëndetësore lokale. Këto sesione do të synojnë të edukojnë nënat për rëndësinë e diversitetit dietik, vlerën ushqyese të artikujve të ndryshëm ushqimorë (përfshirë prodhimet blegtorale si dhe prodhimet e kopshtit) dhe si të krijojnë vakte të balancuara.
9.Mbështetja e familjeve me inpute bujqësore si farat e perimeve për të diversifikuar produktet e tyre të kopshtit. Për të inkurajuar diversitetin në kopshtet e tyre, familjet përfituese do të mbështeten gjithashtu me inpute të ndryshme bujqësore, të tilla si farat e perimeve dhe frutave, të përshtatshme për kontekstin dhe klimën e zonës. Qëllimi i këtij aktiviteti është të ndihmohen fëmijët të plotësojnë dietën e tyre me një sërë frutash dhe perimesh, të cilat janë burime kryesore të vitaminave dhe mineraleve. Përveç kësaj, do të ofrohen sesione orientimi për teknikat efektive të kopshtarisë, rotacionin e të korrave dhe menaxhimin e dëmtuesve natyrorë për të maksimizuar produktivitetin e kopshtit.
10.Aktivitete ndërgjegjësimi mbi diversitetin dietik përmes klubeve IMPACT të ngritura nga World Vision në shkollat Pal Zefi, Ismet Nanushi, Vadardhe, Fshati Rinia do të përfshihen në sesione ndërgjegjësimi në shkollat e tyre mbi rëndësinë e ushqimeve të shëndetshme dhe diversitetin, për të siguruar një dietë të shëndetshme për çdo fëmijë.
11.Ngritja e kapaciteteve të fermerëve në menaxhimin financiar dhe të biznesit. Familjet e përzgjedhura do të përfitojnë gjithashtu trajnime për mbajtjen e të dhënave dhe menaxhimin financiar. Ata do të njihen me dinamikat dhe strategjitë e tregut për marketingun e bagëtive dhe produkteve të ngjashme. Për më tepër, përfituesit do të njihen me skemat e mikrofinancës, të cilat mund të aksesohen në të ardhmen për zhvillimin e mëtejshëm të iniciativës së tyre të biznesit apo modelit të biznesit.
12.Harta e mundësive dhe partnerëve të mundshëm për rrjetëzim dhe vlerësimi paraprak i territorit do te përfshije gjithashtu identifikimin e partnerëve lokalë, siç janë prodhuesit e produkteve të qumështit, baxho të vogla, shoqata të konsumatorëve, si dhe sipërmarrje prodhuese të interesuara për të bashkëpunuar me familjet vendase. Gjithashtu do të ndërtohen lidhjet ndërmjet përfituesve me veterinerët vendas dhe ISUV (Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare) në mënyrë që të sigurohet mbështetje e vazhdueshme në të ardhmen për familjet dhe kafshët e tyre.
13.Kryerja e analizës së zinxhirit të vlerës mbi produktet blegtorale do të ndihmojë në identifikimin e aktorëve dhe partnerëve potencialë lokalë dhe kombëtarë për të bashkëpunuar në tregtimin e produkteve të blegtorëve. Zbatimi i analizës së zinxhirit të vlerës do të ndihmojë grupet e fermerëve në vlerësimin e produkteve vendore dhe zinxhirëve të tyre përkatës të vlerës. Kjo qasje do t’u mundësojë atyre të identifikojnë dhe të fokusohen në produktet më premtuese që përputhen me interesat dhe qëllimet e tyre.
14.Orientimi i familjeve në zinxhirin lokal të vlerës së produkteve të qumështit do të kontribuojë jo vetëm në identifikimin e zinxhirëve ekzistues të vlerës dhe tregjeve për produktet e qumështit, por edhe në orientimin e blegtorëve në lidhje me to. Nëpërmjet ketij projekti do të mbështeten grupet e biznesit të qumështit në një sërë fushash, duke përfshirë zhvillimin e produktit (përfshirë paketimin, ruajtjen), menaxhimin e biznesit (p.sh. planifikimin e biznesit) dhe aksesin në treg (p.sh. panairet tregtare). Kjo mbështetje do t’i mundësojë secilit grup të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe fitimprurëse.
15.Shkëmbimi i vizitave ndërmjet familjeve dhe fermave të mirëndërtuara do të organizohen me fermerë në bashki të tjera si Korça dhe Librazhdi, duke marrë parasysh shembujt pozitivë që këto dy bashki kanë në menaxhimin e suksesshëm të fermave dhe blegtorisë. Vizitat e shkëmbimit konsiderohen si përvoja shumë të rëndësishme për të nxitur motivimin dhe për të ofruar udhëzime/njohuri praktike për familjet përfituese. Duke i lidhur familjet përfituese me ferma të suksesshme, projekti do t’u krijojë mundësinë jo vetëm të mësojnë nga praktikat reale, por edhe të krijojnë rrjete më të forta bashkëpunimi brenda komunitetit blegtoral lokal.