Fëmijët, ambasadorë të të drejtave të fëmijëve

12247033_360050884170064_8654504958017894773_n

Bela* nuk qëndron kurrë me ne, edhe pse mësojmë në të njëjtën klasë. Djemtë e vënë shpesh në lojë sepse ajo është e varfër. Çdo ditë të martë shkon për të shitur qirinj në kishë për të siguruar jetesën. Ne vazhdojmë shkollën normalisht. Edhe pse është 12 vjeçe, familja detyrohet ta dërgojnë Belën të punojë. Mundohemi t’i qëndrojmë afër, por ajo ndihet e turpëruar për atë që bën dhe ndaj rri larg nesh” – tregon Markela, 12 vjeç, nxënëse në zonën e Kurbinit, pjesë e grupit më të ri të Mbrojtjes së Fëmijëve, ndërtuar nga World Vision në shtator të këtij viti.

Për të ndihmuar Belën dhe shumë fëmijë të tjerë për t’i njohur dhe gëzuar të drejtat e tyre, në kuadër të 20 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Markela dhe 18 studentë të tjerë, pjesë e të njëjtit grup, bënë një pyetësor me 500 fëmijë nga 4 shkolla të zonës. Mosha e tyre ishte 10  deri në 16 vjeç.

 “Ne mendojmë se të drejtat e fëmijëve nuk respektohen ashtu siç duhet dhe shume fëmijë nuk i njohin të drejtat e tyre. Duke analizuar çfarë ata dinë dhe çfarë jo, ne mund të organizojmë aktivitete ndërgjegjësuese dhe të gjejmë mënyra të zgjuara për t’i ndihmuar ata”, – shpjegon Markela

Nga pyetësori doli se pothuaj të gjithë të pyeturit e dinë që kanë të drejta, por vetëm 25% e tyre mund të artikulojnë 3 prej tyre. Të drejtat, për të cilat shumica e fëmijëve kishte më pak njohuri, ishin: e drejta për të përfituar mbështetje nga qeveria, në rast se familja është e varfër, e drejta për të qenë i mbrojtur dhe për të mos u diskriminuar.

Vetëm një muaj më parë, rreth 12.000 fëmijë, nga 9 rrethe të Shqipërisë, duke përfshirë edhe fëmijët e Kurbinit, u njohën me Qëllimet Globale për Zhvillim të Qëndrueshëm. Nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, vetë fëmijët nënvizuan si të drejta dhe tema më të rëndësishme, për të cilat duan më shumë vëmendje dhe ndërgjegjësim: barazinë në pjesëmarrje, edukim cilësor, veprime për klimën dhe më shumë mundësi për të advokuar për edukim cilësor.

Për t’i dhënë më tepër zë Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, qindra të tjerë nga Shqipëria bashkuan zërin dhe idetë e tyre krijuese me atë të Markelës dhe shokëve të saj, duke organizuar aktivitete të ndryshme në komunitetet e tyre. Fëmijë nga Elbasani dhe Durrësi, duke përfshirë dhe fëmijë me aftësi të kufizuar, vizatuan piktura dhe i ekspozuan ato në shkollat e tyre, duke tërhequr vëmendjen e prindërve, mësuesve dhe përfaqësuesve të shtetit. Ata organizuan koncerte e dramatizime.

Edhe në Dibër fëmijët e festuan ditën ndërkombëtare me këngë, kërcime e drama, duke u rikujtuar prindërve e mësuesve se sa e rëndësishme është për ta respektimi i të drejtave. Në Shkodër fëmijët treguan problematikat e shkollës së tyre përmes fotografive, lojërave dhe videove, të cilat më pas do t’u dërgohen strukturave të duhura për të marrë nisma për përmirësimin e tyre.

Fëmijët e Kurbinit trokitën në dyert e bashkisë, gjykatës, policisë, spitalit dhe kërkuar që ata t’i mbështesin në respektimin e të drejtave. Në Vlorë, fëmijët vizatuan super heroin e tyre, si personazhin që do mund t’i mbrojë në rast se do t’u shkelen të drejtat. Fëmijët e Korçës shkruan në pankarta nenet e konventës së të drejtave të tyre për t’i ndërgjegjësuar të gjithë pjesëmarrësit se të drejtat e fëmijëve duhen respektuar!

Fëmijët e Tiranës menduan që mënyra më e mirë për të advokuar të drejtat e tyre është arti! Ata organizuan një koncert në qendrën kulturore të Kamzës me këngë, kërcime, dramatizime e poezi për të sjellë në vëmendjen e 200 pjesëmarrësve të drejtat e fëmijëve.

*Emri i vërtetë i Belës është ndryshuar për ta mbrojtur atë nga bulizmi apo ndonjë dëmtim tjetër emocional