Alda është e vetmja ndër 5 motra që ia ka dalë të shkojë në shkollë. Është në klasën e 10-të gjimnaz në fshat të Lezhës, por ta bindje babain e vajzës ta regjistronte në shkollë, nuk ka qenë e thjeshtë, as për arsimtarët e as për stafin e World Vision.
“Unë jam vajzë dhe kam të drejtë të vijoj shkollën!”- thotë Alda.
Në familjen e saj kryefamiljari vendos për gjithë pjesën tjetër të familjes, e veçarërisht për vajzat. Sipas tij, të bijat nuk duhet të arsimohen sepse shkolla nuk është e rëndësishme për një vajzë të mirë.
Megjithatë mësuesit janë të lumtur që këmbëngulja e bisedat e vazhdueshme më familjen nuk shkuan dëm. 15 vjeçarja është një ndër nxënëset më të mira të klasës, veçanërisht në lëndët shkencore: matematikë, fizikë dhe kimi. Por ashtu sikurse Alda, edhe ëndrra e motrës së saj të madhe ishte që të vazhdonte shkollën e mesme, por në vend që të ulej në bankat e shkollës, ende pa mbushur 17 vjeç ‘u premtua’ për nuse.
Alda është shumë e ndrojtur, por kjo nuk e pengon që t’i tregojë Eldës, të vetmes shoqe që ka, për të motrën. E ka të vështirë ta kapërcejë faktin se i ati e ndaloi të parëlindurën e familjes të ulej në bankat e shkollës e t’i siguronte një të ardhme më të mirë. Por frika më e madhe e Aldës është se i ati mund të bëjë të njëjtën gjë edhe me motrat e tjera. T’i ndalojë të ndjekin shkollën! Megjithëse ajo vetë ia ka dalë…së paku për gjimnazin…nuk resht dot së menduari për fatin e të motrave.
Në fshatrat e Lezhës dikur ishte mentaliteti, kushtet ekonomike apo largësia nga gjimnazi më i afërt që i pengonte të rinjtë, e veçanërisht vajzat, të ndiqnin shkollën.
Për të fuqizuar vajzat nëpërmjet edukimit, një ndër nismat ishte ajo e të rinjve të Torovicës të mbështetur nga World Vision, e cila në tetor 2017 finalizua me rihapjen e gjimnazit 20 vite pas mbylljes.
“Pavarësisht nëse je djalë apo vajzë ne gëzojmë të njëjtat të drejta”- thotë Alda, e cila shpreson shumë që edhe motrat të ndjekin shkollën e mesme, e pse jo edhe studimet universitare.
*Alda dhe Elda nuk janë emrat real të vajzave.