“Edhe ato kanë të drejtë të zgjedhin”

DSC_0445_2

“E kam vënë shpesh veten në vendin e tyre dhe nuk do doja kurrë që e ardhmja ime të ishte kështu”- tregon Erinda. 16-vjeçarja nga Durrësi është gjendur shpesh dëshmitare e fatit të keq të bashkëmoshatareve të saj. Ato braktisin shkollën sapo mbarojnë 9-vjeçaren dhe fejohen e martohen, zakonisht me burra shumë më të mëdhenj në moshë, dhe gjithmonë kundër dëshirës së tyre. Para disa kohësh, E, me të cilën Erinda ishte në të njëjtën shkollë e la shkollën, filloi punë dhe u fejua. Të njëjtën gjë kishte bërë edhe motra e saj më e madhe. E, ndoshta e ndjente që do të kishte të njëjtin fat. “Ishte karakter i fortë ajo, kishte shumë shoqëri, tip me vetëbesim. Kishte shumë ëndrra për veten dhe thoshte se do t’i realizonte të gjitha”- tregon Erinda.

“Pastaj, një ditë, kur kishim mbaruar klasën e 9-të u hap lajmi se ajo nuk do të vinte më në shkollë dhe se familja do e martonte. Këtu lajmet marin dhenë. Ca janë të vërteta, ca jo. Mendova me vete: Nuk e marton njeri atë jo. Vitin e ardhshëm, ne filluam gjimnazin, ajo jo. Pyeta përreth. E kishin fejuar vërtetë”, rrëfen Erinda.

Për të renë nga Durrësi fakti që jemi në 2017-ën dhe ka vajza që fejohen e martohen sapo mbushin 15 vjeçe është shumë shqetësues. Prej 2 vitesh ajo është bërë pjesë e grupit të mbrojtes së fëmijëve me të cilët punon World Vision. “Është një nga më aktivet në grup dhe sjell gjithmonë ide në takimet e vazhdueshme që bëjmë”- tregon Bora, punonjëse e World Vision. Erinda, madje ka edhe ide konkrete se si mund të zgjidhet problemi i martesave të vajzave kur janë ende fëmijë. Sipas saj, i gjithë komuniteti duhet të bashkohet kundër këtij fenomeni. “Ata prindër që mendojnë se vajzat duhet të arsimohen e jo të martohen duhet të flasin me prindërit e tjerë, duke filluar që nga prindërit e mi. Ne nuk duhet t’i lëmë ato goca vetëm, sepse ato nuk duan ta braktisin shkollën, asnjëra, por nuk kanë ç’ti bëjnë prindërve. Edhe ato kanë të drejtë të zgjedhin vetë për fatin e tyre” –  tregon Erinda me keqardhje.

Ajo vetë ka patur gjithmonë mbështetjen e prindërve. Ata ëndërrojnë që ajo të arsimohet. 2  motrat e saj më të mëdha kanë përfunduar universitetin. Ndonëse, ajo vetë nuk po kalon të njëjtin problem kjo nuk e pengon aspak që të luftojë për “gocat e tjera”. “Qëkur jam bërë pjesë e grupit kam fituar vetëbesim dhe kam filluar të besoj që gjërat mund të ndryshojnë nëse ne nuk heshtim”- thotë Erinda.

16-vjeçarja ëndërron të studiojë për Shkenca Politike dhe të punonjë në shoqërinë civile, për të vazhduar “luftën” kundër martesave të hershme, bullizmit, dhunës…