Duke mbrojtur natyrën, garantojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët

Promovimi, mbrojtja dhe ruajtja e biodiversitetit në parkun natyror Korab-Koritnik, ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e jetesës së banorëve, pasi parku ka vlera të veçanta natyrore dhe turistike, me potencial të madh për ekonominë lokale.

Gjatë qershor 2022 – qershor 2023, me mbështetjen e donatorit Prespa Ohrid Nature Trust -PONT, World Vision Albania dhe Agritra Vizion zbatuan me sukses në zonën e Dibrës projektin “Përmirësimi i jetesës përmes ruajtjes së biodiversitetit të parkut natyror Korab-Koritnik”.

Qëllimi kryesor i projektit ishte ndërgjegjësimi i komuniteteve lokale për vlerat, ekosistemet dhe burimet e zonës, rëndësinë e menaxhimit dhe përdorimit të burimeve natyrore në mënyrë të qëndrueshme, si dhe menaxhimin e qëndrueshëm të zinxhirit të vlerës së bimëve medicinale dhe aromatike.

Përmes trajnimeve dhe mbështetjes së ofruar, fermerët morën njohuri të reja mbi praktikat e kujdesit ndaj bimëve medicinale dhe aromatike dhe sfidat që mund të hasnin gjatë prodhimit.

  • 40 fermerë janë trajnuar se si të kultivojnë bimë mjekësore dhe aromatike
  • 38 fermere janë pajisur me materiale të nevojshme për punën e tyre
  •  9 fermerë janë mbështetur me 21 mijë fidanë
  • 110 gra fermere kanë rritur ndërgjegjësimin për mundësinë e kultivimit të bimeve mjekësore
  •  162 të rinj kanë rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen e parkut natyror Korab-Koritnik dhe ruajtjen e biodiversitetit.

Tashmë ata janë zëra të fortë në komunitetet e tyre për mbrojtjen e natyrës.

“Si rezultat i trajnimeve, jo vetëm që kemi rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen e natyrës, por edhe kemi fituar aftësi të reja për kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike. Bimët tona janë më të shëndetshme dhe me një cilësi të mirë. Rritja e të ardhurave do të thotë mirëqenie për fëmijët e mi dhe shkollim cilësor,”
 -shprehet Irma, një prej grave fermere të mbështetura për kultivimin e bimëve medicinale në fshatin Obok.

“Suksesi i këtij projekti tregoi se si një ndërhyrje e organizuar dhe mbështetja e duhur, mund të kthejnë një zonë të vogël në një qendër të prodhimit të bimëve mjekësore, me përfitime të dukshme për fermerët vendas dhe komunitetin në përgjithësi,” -shprehet Erblini, menaxheri i projektit.

Përveç rritjes së vetëdijes së të rinjve, fermerëve dhe komunitetit për ruajtjen e biodiversitetit dhe mbrojtjen e zonës Korab-Koritnik, projekti ndikoi edhe në fuqizimin e fermerëve dhe në rritjen e kapaciteteve të organizatave lokale dhe institucioneve vendore.

“Përmes trajnimeve dhe mbështetjes së ofruar, stafet tona u fuqizuan në aspektet e menaxhimit, koordinimit dhe monitorimit të projektit. Ne kemi më shumë njohuri dhe aftësi në planifikimin dhe zbatimin e projekteve të ngjashme në të ardhmen, me impakt të drejtpërdrejtë në ruajtjen e mjedisit dhe përmirësimin e jetesës së banorëve,”- shprehet Bukurija, koordinatorja e projektit nga organizata lokale partnere Agritra Vizion.

Krahas fermerëve, mbështetje me trajnime dhe shkëmbime eksperiencash, brenda dhe jashtë vendit, i është ofruar edhe institucioneve lokale, si Administrata e Zonave të Mbrojtura Dibër dhe zyra e turizmit në bashkinë Dibër, duke mundësuar kështu ngritjen e partneriteteve funksionale me fokus ruajtjen e biodiversitetit dhe mbrojtjen e parkut natyror Korab-Koritnik.

Si rezultat i ndërhyrjeve të realizuara, fermerët vendas rriten ndërgjegjësimin dhe u bënë partnerë në ruajtjen e mjedisit, si dhe u angazhuan në praktika të qëndrueshme të kultivimit të bimëve mjekësore dhe aromatike, por edhe të mbledhjes së tyre në natyrë pa dëmtuar mjedisin. Në të njëjtën kohë, stafet e organizatave bashkëzbatuese të projektit kanë rritur kapacitetet për të vazhduar punën në mbrojtjen e zonës dhe zhvillimin e projekteve të tjera të përqendruara në ruatjen e biodiversitetit dhe mjedisit. Konkretisht, 6 anëtarë të stafit të World Vision Albania në Dibër, 3 anëtarë të stafit të Agritra Vizion dhe 6 përfaqësues të institucioneve lokale janë trajnuar, duke raportuar rritje të kapaciteteve dhe njohurive në menaxhimin e zonës së mbrojtur Korab-Koritnik dhe kultivimin e bimëve mjekësore.

Vlerësimi i potencialit të kultivimit të bimëve mjekësore në zonën e Dibrës, trajnimi në praktikat e qëndrueshme të kultivimit dhe mbledhjes së bimëve mjekësore, duke respektuar mënyrën e qendrueshme të përdorimit të burimeve natyrore dhe ndikimin minimal në mjedis, si dhe krijimi i partneriteteve me kompani grumbulluese të bimëve medicinale, sollën mundësi të reja për fermerët vendas.

“Duke u bazuar dhe në eksperiencën time, Dibra ka një potencial të jashtëzakonshëm për kultivimin e bimëve medicinale. Kjo duhet shfrytëzuar në interes të ekonomisë lokale, por gjithnjë duke u kujdesur për ruajtjen e biodiversitetit,” -shprehet Besi, pronari i një prej kompanive më të mëdha në grumbullimin dhe eksportimin e bimëve medicinale dhe aromatike.

Rezultatet e arritura brenda një viti janë mbresëlënëse dhe premtuese. Ato konfirmojnë se, projektet të cilat integrojnë të gjitha këto aspekte – rritjen ekonomike, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e kapaciteteve të organizatave lokale – mund të sjellin ndryshime pozitive dhe të qëndrueshme për komunitetet dhe për mjedisin ku ata jetojnë.