Ndërtimi i reziliencës dhe aftësive për reduktimin e riskut ndaj fatkeqësive

WhatsApp Image 2022-05-09 at 1

15 Dhjetor 2021 – 230 mësues në 23 shkolla të Shqipërisë janë bërë pjesë e projektit 10 mujor që synoi përgatitjen dhe krijimin e reziliencës nëpërmjet angazhimit të shkollës dhe komunitetit nga fatkeqësitë në 6 rajone të Shqipërisë.

Situatat emergjente të viteve të fundit, tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe më pas pandemia globale sollën vështirësi të shumta në sistemin arsimor, veçanërisht në zonat e prekura nga tërmeti.

Në përgjigje të sfidave kryesore me të cilat u përball gjithsecili nga ne pas dy emergjencave të njëpasnjëshme, tërmeti dhe pandemia COVID-19, edhe nevoja ishte e madhe për të përballuar situatën, por edhe për t’u ringritur pas momenteve të tilla.

Veçanërisht në këtë periudhë, stafi pedagogjik, por edhe nxënësit duhet të rrisnin aftësitë për mënyrën e reagimit ndaj fatkeqësive.

Pjesë e ndërhyrjes së ofruar në Kamëz, Tiranë, Durrës, Kavajë, Kurbin dhe Lezhë ishte trajnimi i akrediturar nga ekspertë të fushës, për të përgatitur shkollat të kenë të përditësuara planet e tyre të emergjencave; materiale zhvillimore dhe didaktike, por edhe nje aplikacion ‘DRR4 Schools’ ku fëmijë të grupmoshës 10-16 vjeç mund të informohen lidhur me situatat kryesore të fatkeqësive natyrore si: tërmeti, përmbytjet, rrëshqitjet e dheut, pandemia, ndihma e parë si edhe kontaktet e emergjencës.  Për mbështetjen e aspekteve socio-emocionale të fëmijëve në kontekst shkollor gjatë dhe pas emergjencave u hartua një manual me ushtrime praktike për stafin psiko-social shkollor.

13 shkolla janë mbështetur me mini-projekte me fokus ndërgjegjësimin dhe angazhimin komunitar për përmbushjen e standardeve të sigurisë dhe Reduktimit të Riskut ndaj Fatkeqësive në shkolla duke patur si përfitues direktë 7,614 nxënës.  6 evente të emergjencave të simuluara, me synim ndërgjegjësimin e komunitetit shkollor, janë organizuar në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtes Civile, Kryqin e Kuq Shqiptar, ZVA-të, përfaqësues të Emergjencave Civile në nivel Bashkie etj.

Sot, në praninë e përfaqësuesve të institucioneve arsimore, donatorëve, stafit pedagogjik dhe nxënësve u përmbyll projekti “Ndërtimi i reziliencës dhe aftësive për Reduktimin e Riskut ndaj Fatkeqësive (RRF) nëpërmjet angazhimit të shkollës dhe komunitetit”, një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe World Vision Albania, mbështetur financiarisht dhe teknikisht nga UNICEF, Organizata e Kombeve të Bashkuara në kuadër të SDG Acceleration Fund, me mbështetjen financiare të qeverisë holandeze.