Parku Kombëtar i Shebenikut është një nga pasuritë më të çmuara natyrore të Shqipërisë, i njohur për peizazhet e tij mahnitëse dhe biodiversitetin e pasur. Me mbi 1,460 lloje bimësh dhe faunë të rrallë si rreqebulli i Ballkanit, ariu, dhia e egër, kaprolli, derri i egër dhe baldosa, ky park mbetet ende një destinacion i pazbuluar, por me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të qëndrueshëm turistik.
Për të promovuar këtë thesar natyror dhe për të ndihmuar në mbrojtjen e tij, dy ballkone panoramike janë ndërtuar së fundmi në majen e Qafë Shapkës, në një lartësi prej 1,442 metrash mbi nivelin e detit. Kjo iniciativë është realizuar nga World Vision Albania në bashkëpunim me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Elbasan (ADZM), me mbështetjen financiare të Prespa Ohrid Nature Trust (PONT), në kuadër të projektit “Ndërtimi i përgjigjes nga komuniteti për mbrojtjen e biodiversitetit në Parkun Korab-Koritnik dhe Parkun Kombëtar të Shebenikut”.

Ballkonet ofrojnë një pamje unike të parkut dhe pritet të shërbejnë jo vetëm si atraksione për vizitorët vendas dhe të huaj, por edhe si pika strategjike për monitorimin e parkut dhe parandalimin e zjarreve.
“Këto struktura janë një shembull i qartë se si promovimi i turizmit të qëndrueshëm mund të shkojë paralelisht me ruajtjen e biodiversitetit” – u shpreh Mirjam de Koning, Drejtoreshë Ekzekutive e PONT.
Sot, në një vizitë të përbashkët në Qafë Shapkë, aty ku duket se mali prek qiellin, përfaqësues të organizatave partnere, ADZM Elbasan, të rinj dhe dashamirës të natyrës, panë nga afër rëndësinë e këtij investimi.
“Përmes këtij projekti, ne po fuqizojmë komunitetin dhe institucionet për të mbrojtur natyrën dhe biodiversitetin, por edhe po ju japim të rinjve dhe banorëve mundësi të reja zhvillimi përmes turizmit të qëndrueshëm” – tha Eljona Elmazi, Drejtoreshë Ekzekutive e World Vision Albania.
Përveç dy ballkoneve, është ndërhyrë edhe në markimin dhe pastrimin e një shtegu prej 920 metrash, që lidh dy pikat kryesore panoramike dhe përshkon një itinerar të pasur, i cili ndërthur natyrën me historinë. Gjatë rrugës, vizitorët mund të eksplorojnë edhe bunkerë dhe tunele të ndërtuara gjatë Luftës së Ftohtë, duke i shtuar atraksionit një dimension historik interesant.
“Këto ballkone ndihmojnë administratën për të orientuar turistët drejt një destinacioni të sigurt dhe shërbejnë si pika vrojtimi për identifikimin e aktiviteteve të paligjshme apo për monitorimin e situatave emergjente si zjarret,” – u shpreh Fatmir Brezhda, drejtues i ADZM Elbasan.
Nëpërmjet këtij projekti, bashkëpunimi i ngushtë me ADZM Elbasan ka siguruar që çdo ndërhyrje të jetë e bazuar në nevojat reale të parkut dhe të kontribuojë në menaxhimin e qëndrueshëm të tij. Krahas ndërhyrjeve, projekti ka kontribuar në ndërtimin e një modeli shumë të suksesshëm partneriteti lokal mes AdZM, World Vision Albania, bizneseve dhe komuniteteve lokale, për gjenerimin e të ardhurave në Parkun Kombëtar të Shebenikut, nëpërmjet nismave që sigurojnë gjithashtu mbrojtjen e biodiversitetit dhe ekosistemeve.
Parku Kombëtar Shebenik mbart jo vetëm vlera të mëdha natyrore dhe ekologjike, por edhe kulturore e tradicionale, duke ofruar një mundësi për zhvillimin afatgjatë të turizmit. Aty duket se çdo pemë ka një histori, çdo gjethe ka një zë dhe çdo hap të çon drejt një lidhjeje më të thellë me natyrën.
Dy ballkonet e reja nuk janë vetëm platforma druri mbi një kodër, ato janë një ftesë për të parë më larg, për të ruajtur biodiversitetin, për t’u relaksuar, por edhe për të shkuar drejt një zhvillimi që nuk e cënon natyrën.

Projekti “Ndërtimi i përgjigjes nga komuniteti për mbrojtjen e biodiversitetit në Parkun Korab-Koritnik dhe Parkun Kombëtar të Shebenikut”, financohet nga Prespa Ohrid Nature Trust – PONT dhe zbatohet nga World Vision Albania, në partneritet me Agritra-Vizion në Dibër dhe organizatën “Përtej të Sotmes” në Librazhd.
