“I kërkova të më blinte një kukull, ishte shumë e bukur dhe e kisha shumë qef. Ai nuk ma bleu. As nuk më dëgjonte kur i thoja sa qef e kisha. Më tha vetëm: Nuk je për kukulla ti. Je e rritur! Po pse e rritur jam unë?” A. është vetëm 11 vjeçe.
Ajo jeton në një zonë periferike të vendit, me prindërit, motrën dhe vëllanë e vogël. I ati nuk punon. E ëma mbledh materiale të riciklueshme në kazanët e qytetit, e më pas i shet. Në ditët më të mira, ia del të çojë 500 lekë të rinj në shtëpi. “Unë dua shumë që mami të gjejë një punë si gjithë të tjerët. Ajo kërkon shumë, por nuk po e gjen dot. Kurse babi nuk kërkon fare. Ai nuk do të punojë. As neve nuk është se na do shumë. Ai do vetëm të…” – tregon A. Më pas ul kokën, hesht dhe nuk flet për ca sekonda.
Prej kohësh e vogla po mban një barrë të madhe mbi supe. Nuk e ka të lehtë ta tregojë, por edhe vetëm për vete nuk mund ta mbajë. Për shtatin dhe moshën e saj të njomë, pesha është shumë e rëndë. “Atij i pëlqen të pijë. Pi ashtu, pije me alkool. Pastaj vjen në shtëpi dhe bën gjëra të shëmtuara…si ta them…ai na rreh…më shumë mamin.” – rrëfen A.
Atje ku duhet të ndihet më e sigurt, në familje, A. është në fakt më e pasigurt se kudo tjetër. Vendi i saj i preferuar është shtëpia e gjyshes. “Nandaja është edhe njeriu që dua më shumë në botë. Vetëm asaj i them sekretet e mia. Dhe ajo nuk ia tregon askujt. Është shoqja ime më e mirë ajo”- thotë A. Kur filloi të fliste, asaj i tregoi për herë të parë që i ati i dhunonte nënën, që një natë ai i nxorri të flinin jashtë nënën dhe motrën e vogël. Pse? Arsyen A. nuk e kupton. Nuk ka asgjë për të kuptuar, sepse asgjë nuk ka kuptim. Ama ajo ka filluar të kuptojë se ata nuk e meritojnë këtë që po u ndodh. Ka më pak se 2 muaj që është bërë pjesë e grupit të mbrojtjes së fëmijëve me të cilët World Vision punon. Ka filluar të kuptojë se ajo ka të drejtë të jetojë e lumtur dhe e mbrojtur dhe ka filluar t’i kërkojë të atit që të mos ushtrojë më dhunë mbi ta. A. tani ka filluar të flasë me nënën për dhunën që i ati ushtron mbi ta. “Mami kjo nuk është normale. Unë nuk do e lejoj më. As ti mos e lejo, mirë?” – i thotë e vogla.
“Tani e di se ku të drejtohem që të ai mos të na dhunojë më. Por, unë nuk dua që ai të shkojë në burg. Unë dua që ai të rrijë me ne dhe të na dojë. Dua që ta ndihmojë mamin. Dua që mos të na rrahë më, por më shumë mamin. Një ditë i thashë: Ti nuk ke të drejtë ta prekësh mamin me dorë. Ai më pa me çudi. Mami ma bëri me shenjë të mos flisja” – tregon A.
E ëma ende nuk ka guximin për ta denoncuar të shoqin në strukturat përkatëse, por vajza e saj 11- vjeçare, vetëm dy muaj pasi është bërë pjesë e grupit të mbrojtjes së fëmijëve e ka kuptuar se duhet të kërkojë ndihmë që kjo situatë të marrë fund.
A. nuk do të dorëzohet. Ka vendosur t’i bëjë ballë, për mamin, për motrën, vëllain dhe veten.