Aftësimi digjital,çelësi për të ardhmen e të rinjve

Teknologjia është motori i ndryshimit në dekadën që po jetojmë. Ajo po prek çdo aspekt të jetës sonë, nga mënyra si komunikojmë, mësojmë, punojmë, deri te mënyra si e projektojmë të ardhmen. Në këtë realitet të ri që formësohet çdo ditë dhe sjell me vete sfida dhe mundësi të reja, aftësitë digjitale nuk janë më thjesht një avantazh. Ato janë një domosdoshmëri.

“Për të rinjtë, këto aftësi përfaqësojnë jo vetëm një mundësi për punësim të qëndrueshëm, por edhe një mjet për të mbrojtur veten në hapësirën online dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt,” – thotë Kleasardi nga Lezha.

Bashkë me Vetiljanën dhe dhjetëra nxënës të tjerë, Kleasardi ka marrë pjesë në kurset “Digital Skills” dhe “Soft Skills”, të zhvilluara këtë verë në ambientet e Shkollës së Mesme Profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë, me mbështetjen e projektit “Nxitja e punësimit të denjë për të rinjtë dhe personat e papunë në zonën ndërkufitare të Malit të Zi dhe Shqipërisë”.

Ky trajnim është pjesë e një iniciative më të gjerë ndërkufitare, që synon të fuqizojë dhe përgatisë të rinjtë dhe personat e papunë për tregun e punës. Për dy nxënësit që ndjekin arsimin profesional, kjo përvojë njëmujore nuk ishte thjesht një kurs. Ishte një hap i rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të sigurt.

Dy të rinjtë ishin mes 20 të rinjve të certifikuar Albanian ICT Academy, një institucion i njohur për cilësinë e trajnimeve në fushën e teknologjisë. Këto certifikata të akredituara nga shteti shqiptar, u japin vlerë reale në tregun e punës.

“Gjatë këtij kursi kemi mësuar dhe zhvilluar disa projekte të ndryshme, që lidhen me mbrojtjen e të dhënave dhe sigurinë online. Ky kurs intensiv më ka ndihmuar të thelloj aftësitë e mia në fushën e teknologjisë. Aftësimi teknologjik është i domosdoshëm, jo vetëm për të garantuar një punësim të suksesshëm, por edhe për të mbrojtur veten në botën digjitale. Mendoj që do të vazhdoj të thellohem në këtë fushë, në mënyrë që të kem një të ardhme të sigurt për veten.” – thotë Klesardi, pjesë e grupit për sigurinë kibernetike dhe aftësimin digjital

Vetiljana, e pasionuar pas programimit, e sheh këtë si një hap drejt ëndrrave të saj.

“Në kursin e aftësive digjitale kam mësuar si të krijoj një web application në Python. Më pëlqen të avancoj më shumë në këtë fushë, jo vetëm se e kam pasion, por është edhe një mundësi e mirë për të patur një karrierë të sigurt.”

Projekti, i financuar nga Bashkimi Evropian, zbatohet nga World Vision Albania, Agjencia e Punësimit në Mal të Zi dhe Agjencia e Punësimit dhe Aftësive në Shqipëri. Ai implementohet në bashkitë Lezhë, Kurbin dhe Mirditë në Shqipëri, si dhe në Podgoricë, Tuz, Ulqin dhe Plav në Mal të Zi. Projekti ndërkufitar mbështetet 30 studentë të shkollave profesionale, 140 të rinj të papunë dhe 40 gra artizane dhe burra zanatçinj të angazhuar në ekonominë familjare.

“Çdo gjë që shkon në favor të nxënësve dhe të rinjve, për ne është primare,” – thotë Bardh Dedgjonaj, drejtori i shkollës së mesme profesionale Kolin Gjoka, duke nënvizuar rëndësinë e partneriteteve të tilla në fuqizimin e të rinjve.

Dedgjonaj është entuziast që falë këtij projekti do të përfitojnë edhe dhjetëra nxënës të tjerë, pasi infrastrukturës moderne të shkollës profesionale “Kolin Gjoka” po i shtohet edhe një ambient tjetër me pajisje të teknologjisë së fundit, i cili do të mundësohet nga projekti. CareerPro Hub, një ambient i pajisur me teknologji të fundit, që do të shërbejë si qendër për orientim në karrierë dhe zhvillim profesional për të rinjtë.

Kleasardi dhe Vetiljana janë dëshmi se kur të rinjtë marrin mbështetjen e duhur, ata jo vetëm që mësojnë, ata lulëzojnë. Ata janë pjesë e një brezi që nuk ka frikë nga sfidat, sepse ka mjetet për t’i përballuar.

Një brez që ndërton me dije, guxim dhe shpresë.

Projekti “Nxitja e punësimit të denjë për të rinjtë dhe personat e papunë në zonën ndërkufitare të Malit të Zi dhe Shqipërisë”, financohet nga Bashkimi Evropian përmes programit IPA Cross-border Cooperation Programme Montenegro – Albania dhe zbatohet nga World Vision Albania, Agjencia e Punësimit në Mal të Zi dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive në Shqipëri.

Alfons Cupaj – PR and Communications, World Vision Albania