20 të rinj përfundojnë me sukses Shkollën Verore të TBU dhe World Vision Albania

Tiranë, qershor 2025 – Një grup prej 20 të rinjsh të moshës 15–18 vjeç përfunduan me sukses Shkollën Verore të organizuar nga Tirana Business University në bashkëpunim me World Vision Albania, një eksperiencë unike që i ndihmoi të eksplorojnë botën e biznesit dhe teknologjisë që në moshë të re.

Përgjatë dy javëve, të rinjtë u angazhuan në një program gjithëpërfshirës që ndërthurte përgatitjen teorike, këshillimin individual dhe përvojat praktike. Temat e trajtuara përfshinin Lidershipin, Inovacionin, Marketingun Digjital, Inteligjencën Artificiale, Programimin, Menaxhimin e Kohës, Komunikimin, si dhe Loja e Kursimit, një qasje edukative që nxit të menduarit kritik dhe vendimmarrjen e pavarur.

Përmes lojërave simuluese, punës në grup, sfidave reale dhe vizitave në kompani të ndryshme, pjesëmarrësit patën mundësinë të mësojnë në mënyrë praktike dhe të kuptojnë më mirë lidhjen mes njohurive dhe realitetit të tregut të punës. Takimet me CEO të kompanive partnere dhe mundësia për të parë nga afër profesionet në veprim krijuan tek të rinjtë një lidhje konkrete mes asaj që mësojnë dhe realitetit të tregut të punës.

“Gjatë kësaj shkolle verore mësova shumë më tepër sesa prisja. Trajnimi për menaxhimin e kohës më ndihmoi të organizoj më mirë ditën time dhe të rris përqendrimin. Më bëri të kuptoj që produktiviteti fillon me planifikim të zgjuar,” – shprehet Marsida, një nga të rinjtë pjesëmarrës.

Një ndër momentet më të vlerësuara nga të rinjtë ishte loja simuluese “Matrix Game”, e cila zhvillon aftësi të rëndësishme si mendimi strategjik, analiza në situata të ndërlikuara dhe vendimmarrja në kohë reale.

“Matrix Game ishte pjesa më sfiduese por edhe më argëtuese. Për herë të parë ndjeva se po zgjidhja probleme reale në grup, dhe mësova si të punoj më mirë me të tjerët në presion. Gjithashtu, moduli i komunikimit më ndihmoi të përmirësoj ndjeshëm aftësitë e mia për të bashkëpunuar,” – u shpreh Endrita.

Në modulin e web design-it, të rinjtë u njohën me konceptet bazë të ndërtimit të faqeve në internet përmes HTML dhe CSS, duke zbuluar një fushë teknologjike gjithnjë në zhvillim dhe duke shfaqur kreativitetin e tyre në dizajnin digjital.

“Kjo është një eksperiencë që i ndihmon të rinjtë të kuptojnë çfarë i motivon, çfarë dinë të bëjnë dhe ku mund të gjejnë veten në të ardhmen,” u shpreh Eljona Elmazi, Drejtore Ekzekutive e World Vision Albania, gjatë ceremonisë së ndarjes së certifikatave.

Në të njëjtën linjë, Altin Sholla, Administrator i Tirana Business University, theksoi rëndësinë e iniciativave të tilla në ndërtimin e një kulture sipërmarrëse që fillon që në adoleshencë.

Partneriteti ndërmjet TBU dhe World Vision Albania synon të frymëzojë të rinjtë të mendojnë si sipërmarrës, të projektojnë me zgjuarsi të ardhmen dhe të zbulojnë potencialin e tyre.