Të premten, më 5 Dhjetor 2025, në Ambasadën e Japonisë në Tiranë u mbajt ceremonia e nënshkrimit të kontratës së grantit për “Projektin për Sigurimin e një Sistemi Fotovoltaik për Shkollën Ismet Nanushi në Bashkinë Durrës ” në kuadër të Granteve për Projekte të Sigurisë Njerëzore në Nivel Lokal për vitin fiskal 2025.
Kontrata u nënshkrua nga Shkëlqesia e Saj, Ambasadorja e Japonisë në Shqipëri, Znj. Kato Kikuko dhe Drejtoresha Ekzekutive e World Vision Albania, Znj. Eljona Elmazi.
Ky grant do të mundësojë instalimin e 252 paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike, duke krijuar kushte më të mira mësimore gjatë stinës së ftohtë për 730 nxënësit dhe 50 mësuesit e shkollës së bashkuar “Ismet Nanushi”.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Ambasadorja Kato tha se për shkak të kufizimeve buxhetore të shkaktuara nga procesi i rindërtimit pas tërmetit të Shqipërisë në vitin 2019, shkolla Ismet Nanushi është ende e detyruar të kufizojë përdorimin e ngrohjes dhe ftohjes.
Ajo u shpreh se falë instalimit të sistemit fotovoltaik përmes këtij bashkëpunimi, pritet të përmirësohen kushtet e mësimit dhe të punës për 730 nxënësit e shkollës dhe rreth 50 mësuesit dhe pjesëtarët e stafit, duke mundësuar ofrimin e një arsimi më të sigurt dhe me cilësi të lartë.
Gjithashtu, Ambasadorja Kato shprehu dëshirën që marrëdhëniet ndërmjet Japonisë, World Vision Albania dhe Bashkisë Durrës, e më gjerë me Shqipërinë, të thellohen edhe më tej.
Drejtoresha Ekzekutive e World Vision Albania, Eljona Elmazi, shprehu mirënjohjen ndaj popullit dhe Qeverisë së Japonisë për mbështetjen e dhënë.