Laura nga Dibra/ Na ndihmoni ta ndërtojmë të ardhmen në vendin tonë

Laura OK

Si ta bind veten time të qëndroj këtu? Si t’iu them të rinjve të tjerë që Shqipëria një ditë do të bëhet siç e duam ne?”– këto janë disa nga pyetjet që po e mundojnë Laurën nga Dibra.

Ajo është një nga 216 të rinjtë e 12 grupeve IMPACT me të cilët World Vision punon në Dibër dhe ka zgjedhur të ndajë disa mendime për vështirësitë që hasin djemtë dhe vajzat në komunitetin e saj.

E përfshirë në qeverinë e nxënësve dhe grupet rinore IMPACT, Laura ka pasur mundësi të fitojë njohuri, eksperienca dhe aftësi logjike për të ngritur zërin për çështje të caktuara, si dhe të bëhet pjesë e disa nismave me fokus të drejtat e fëmijëve, gjithëpërfshirjen dhe barazinë gjinore.

Sipas adoleshentes, mungesa e laboratorëve në shkolla dhe mungesa e hapësirave për të zhvilluar kurse të ndryshme profesionale, po i pengon të rinjtë të zhvillojnë talentet dhe të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri.

15 vjeçarja jep edhe disa këshilla për institucionet, organizatat dhe shoqërinë se ku duhet të fokusohet puna me fëmijët dhe të rinjtë, për t’i dhënë fund emigrimit në masë.

Lexoni letrën e plotë të adoleshentes, e cila bën thirrje për më shumë vëmendje, mbështetje dhe nisma në ndihmë të të rinjve.

Disa muaj më parë, besoj të gjithë jeni njohur me lajmin e publikuar në media se në 10 vitet e fundit 60 mijë fëmijë shqiptarë kanë kërkuar azil në një vend të BE-së. Kjo shifër përkthehej në 10 % të popullsisë së fëmijëve sot në vendin tonë. Ky ishte një lajm që më bëri të mendoj më shumë për të ardhmen time dhe të bashkëmoshatarëve të mi…

Unë synoj të bëhem arkitekte, por nëse do të më krijohej mundësia edhe unë studimet do të doja t’i nisja në një shtet tjetër. Jo sepse nuk më pëlqen vendi im, por mendoj se kushtet për shkollim jashtë janë më të mira dhe gjithashtu ke më shumë mundësi që pas diplomimit të vazhdosh punë në fushën tënde.

Kam dëgjuar për shumë histori të fëmijëve e të rinjve shqiptarë të larguar në vendet e BE-së. Kam dëgjuar për raste të fëmijëve që kanë punuar kamerier, në kuzhinë apo mirëmbajtje; gjëra që këtu mbase nuk do kishin pranuar t’i bënin. Gjithsesi, pavarësisht vështirësive, të gjithë preferojnë të mos kthehen. Të rinjtë shqiptarë po largohen nga vendlindja e tyre çdo ditë e më shumë. Dhe a e dini pse? Sepse nuk kanë mundësi të zhvillojnë talentet e tyre dhe të ndërtojnë të ardhmen këtu.

Në shkollat tona mungojnë laboratorët ku ne të praktikojmë teorinë e mësuar. Kjo, jo vetëm vështirëson procesin e të mësuarit, por shpesh çon në uljen e motivimit tonë. Mungojnë palestrat sportive, të jashtme dhe të brendshme. Mungojnë parqet publike si dhe këndet e lojërave për fëmijë. Në qytetin tim mungojnë gjithashtu qendrat ku ne të bëjmë kurse pikture, kendimi apo dhe aktivitete të tjera. Në këtë situatë, ne nuk kemi mundësinë të shfrytëzojmë kohën në mënyrë cilësore, duke u ekspozuar ndaj veseve të keqija dhe rrjeteve sociale.  Këtu duhet të fokusohet edhe puna e institucionave dhe organizatave, që të krijojnë kushte dhe mundësi të barabarta për të rinjtë.

Ne jemi një vend i vogël, ku të rinjtë dhe fëmijët rriten duke iu thënë: “Pusho, se ti nuk di gjë”. Kjo na vret çdo ëndërr që ne mund të kemi, çdo shpresë dhe çdo motiv. Dhe kur vritet shpresa, gjëja e vetme që të ngelet është të largohesh nga vendi yt dhe ta kërkosh mundësinë diku tjetër.

Duam të na dëgjojnë dhe të na kuptojnë. Duam që kjo të ndryshojë. Duam që të ardhmen ta ndërtojmë në vendin tone.

Ndjehem keq kur shoh se edhe familjet janë mbështetësit e parë të fëmijëve për t’u larguar, pasi nuk shohin një të ardhme më të mirë për fëmijët në Shqipëri.

Kjo më mundon. Si ta bind veten time të rri? Si t’iu them të rinjve të tjerë që Shqipëria një ditë do të bëhet siç e duam ne? A jemi ne ata që mund ta ndryshojmë vendin tonë? Gjithçka fillon nga dëshira për të ndryshuar dhe përmirësuar vetveten, për t’u aftësuar dhe për të kuptuar se çfarë mungon dhe çfarë duhet ndryshuar. Kur të jemi në gjendje t’i kuptojmë këto gjëra, do ta kemi më të lehtë të jemi qytetarë të denjë dhe aktivë.

Largimi është vetëm një rrugë, por kemi edhe një zgjedhje tjetër: Të qendrojmë dhe të ndryshojmë jetën e të gjithë fëmijëve në Shqipëri. Të krijojmë kushte që të gjithë të kenë mundësi për të zhvilluar talentet e tyre.

Këto janë mendimet e sinqerta të Laurës, të hedhura në një letër ditari pas një takimi që ajo kishte me bashkëmoshatarët e saj në grupin “IMPACT”.