Guri i rëndë në vendin e vet

_DSC9078

Dita e Marias nis e ngarkuar, me mendimet për Universitetin, me nxitimin për të kapur autobusin që do e sjellë nga Pojani në Korçë, me telefonatat me shoqet e saj që ndjekin të njëtën degë për Infermieri në Universitetin e Korçës, me ndjekjen e leksioneve të gjata në auditor, punëve vullnetare e kur fundi i ditës rikthehet në shtëpi, në familje. Por përveç jetës studentore, në kthim, Marian e pret anagazhimi me klubin rinor në fshatin ku ajo jeton. Prej tre vitesh tashmë, kur e reja planifikon ditën, javën dhe muajin, le gjithmonë një pjesë të rëndësishme për punën me adoleshentët e të rinjtë e fshatit të saj të klubit IMPACT.

Sot që takojmë Marian, ajo sapo është kthyer nga universiteti, ndërkohë që bluan në kokë se si do ia dalë me sezonin e provimeve, përgatitet të takojë familjet më në nevojë. Këto kohë shumë më shumë familje kanë pasur nevojë për mbështetje në mënyrë që të tejkalojnë vështirësitë socio-ekonomike që u theksuan më shumë gjatë pandemisë.

E reja, teksa shkon në këto shtëpi dhe përshëndet bashkëfshatarët, nuk heziton aspak që të ndajë me ta njohuritë në fushën e mjekësisë. Maria i përgjigjet për çdo pyetje që ata kanë në lidhje me COVID-19; rëndësinë e higjienës, distancimit fizik dhe jo social, por edhe sa herë kanë pasur nevojë për informacione apo këshilla të tjera për shëndetin mendor apo fizik. Kështu i ka ndihmuar edhe dikur fëmijët, të rinjtë dhe familjet infermierja që mbulonte zonën e saj.

Atëherë ajo ishte vetëm 11 vjeç dhe sapo i ishte bashkuar organizatës World Vision. Duke buzëqeshur me vete tregon se nuk e mendonte se do vinte dita kur edhe ajo do i shërbente komunitetit të saj edhe në kushtet më ekstreme, kur të gjithë duhet të rrinë në shtëpi, dikush nga frika e dikush nga pamundësia. Tani Maria është në prag diplomimi si infermiere e në të ardhmen do mund të ndihmojë edhe më shumë njerëz.

Maria ka qenë një ndër fëmijët më aktivë e që merrte pjesë në takimet e Qeverisë së Nxënësve, kur duhet të votonte presidentin e shkollës apo kur duhet të përfshihej në përgatitjen e planit të veprimit për emergjencat. Sot si drejtuese në komunitetin e saj, udhëheq 15 adoleshentët e klubit IMPACT për të përmirësuar sadopak jetesën e bashkëmoshatarëve dhe familjeve më në nevojë në Pojan.

 “Angazhimi me aktivitete dhe projektet kanë qenë një nga gjërat më të mira që kam bërë në jetë. Kam qenë shumë e ndrojtur, pa inisiativë, gjithmonë më duhej një dorë që të më shtynte përpara sepse kisha merak se mos nuk do isha në lartësinë e duhur. Edhe sot vazhdoj të jem modeste” – pohon ajo me buzëqeshje, – por jam rritur në shumë drejtime të tjera.

E ëmbël dhe e qetë, tregon pa e nxituar njeri se ka qenë suprizë për të kur anëtarët e klubit e votuan si drejtuese sepse me natyrën e ndrojtur që ka nuk e mendonte se si mund të drejtonte të tjerët, sidomos ata që i kishte patur shokë e shoqe.

Isha e shqetësuar nëse do më pëlqenin, nëse do arrija t’i udhëzoja si duhet, nëse do ma dëgjonin fjalën, nëse do mbanin qetësi në takimet e IMPACT-it. Disa nga këto meraqe i kam tejkaluar tashmë sepse modeli i punës në IMPACT të pajis me ca aftësi që nuk ke një mënyrë tjetër ku t’i gjesh,”- tregon ajo.

 

Maria së bashku me drejtuesen tjetër të IMPACT Club kanë ndërmarrë pesë inisiativa në këto dy-tre vite që drejtojnë klubin e të rinjve. Kur e pyesim se cila inicativë i ka lënë më shumë gjurmë ajo rendit: iniciativën e klubit për të pajisur shkollën me libra me qëllim nxitjen e të lexuarit në radhët e bashkë moshtarëve, iniciativat për të ndihmuar familjet më në nevojë. Maria thotë se në këto familje ka parë me sytë e saj varfërinë dhe sepse ka gjithmonë një mënyrë për ta trajtuar varfërinë me dinjitet.

Këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera zgjodhëm te sillnim nje projekt në linjë me kohët që po kalojmë. Pandemia ka ndryshuar çdo gjë, ka përmbysur çdo siguri që kishim. Bashkë me anëtarët e klubit vendosëm të përgatisim paketa higjienike me dezinfektante duarsh, maska, solucione pastrimi e higjienizimi për 20 familjet më në nevojë dhe që riskonin më shumë nga të tjerët të përballeshim me pasojat e COVID 19. Nëse më parë isha e ndrojtur, e tërhequr, pa shumë vetëbesim, tashmë për shkak të gjithë angazhimit në konferenca, në dhënien e mësimeve sipas kurrikulave jam më aktive, nuk e kam problem të dal të flas në publik, mund të përballoj presionet e bashkëmoshatarëve më lehtë, jam me ë sigurt,”- kujton ajo.

Gjetjet e raportit “Vepro Tani” (Act Now) nga World Vision tregojnë se pothuajse gjysma e të intervistuarve fëmijë, sidomos vajzat (49%) ndjehen të trishtuar dhe të mërzitur dhe më shumë se një e treta e tyre ndjehen të frikësuar (39%) dhe të vetmuar (38%). Këto shifra tregojnë për përjetimin e emocioneve negative si shenjë e stresit psikologjik të shkaktuar nga faktorët e izolimit.

Për të ardhmen, Maria tregon se do të vazhdojë të angazhohet në drejtimin e klubit IMPACT. Së fundmi ajo bashkë me anëtarët IMPACT kanë kaluar një kohë të mirë duke reflektuar për vështirësitë dhe arritjet e këtij viti të vështirë, për ndryshimet që duan të sjellin së bashku por edhe për ëndrrat dhe dëshirat e tyre si të rinj të Shqipërisë.

“Unë dua të diplomohem me rezultate të shkëlyera dhe të shërbej prapë në komunitetin tim. Të gjithë moshatareve të mi, që do e ndjekin këtë rrëfim ju bëj një thirrje: sa më pak media sociale dhe sa më shumë punë për ndryshim. Më besoni, ja vlen!”- përfundon rrëfimin e saj Maria.

Ajo është një nga 26 drejtuesit e 12 klubeve IMPACT në zonën e Korçës. Së bashku me të rinjtë në grupin e saj, kanë ndërmarrë pesë nisma përgjatë këtyre viteve për të përmirësuar situatën e fëmijëve dhe të rinjve nga shtresat më në nevojë në zonën e Korçës. Gjatë 2021-isht, World  Vision Albania ka mbështetur 49 projekte komunitare të ideuara dhe zbatuara nga të rinjtë në 9 bashki të Shqipërisë. Fokusi kryesor i këtyre projekteve ka qenë shëndeti mendor dhe krijimi i reziliencës përmes sportit, artit, kontaktit me natyrën, leximit dhe kalimit të kohës me njëri-tjetrin.