Zanati im . . .

IMG_2588

“Ka punë, por nuk ka zanatçinj.”- kjo është një nga shprehjet më të dëgjuara të viteve të fundit.

Të rinj që mbarojnë shkollën e lartë, por nuk gjejnë dot një vend pune. Të tjerë kanë dashur të rendin pas ëndrrave të fëmijërisë, por të kushtëzuar nga gjendja financiare e familjes, e kanë lënë deri në gjetjen e një mundësie të dytë. Kështu nis të na tregojë Klodian Rreshka për “lojrat” e tij të fëmijërisë: “Fillova pak nga pak, nga gjërat e vogla e deri tek paisjet e shtëpisë, mbaj mend njëherë çmontova lavatriçen. Mami bërtiste gjatë gjithë kohës, ç’më bëre, më prishe lavatriçen. Unë siç e çmontoja kisha qef ta montoja prapë pastaj, por duke rregulluar shtëpinë, gjente ndonjë pjesë të lavatriçes vërdallë. Kurse babi ishte emigrant në Greqi dhe aq kohë sa rrinte me ne nuk donte të na bërtiste se e merrte malli. Vetëm se ato pjesët që mua më kishin dalë ‘tepër’, babai e hapte edhe njëherë lavatriçen nga fillimi dhe e rregullonte. Unë vazhdova gjimanzin në Librazhd, por e shihja që më pëlqente më shumë të merrja një zanat, nuk kisha prirje për të vazhduar shkollën, kështu që vendosa ta lija.

Ai nuk reshti së kërkuari mundësi të tjera. Donte t’i rikthehej pasionit të vegjëlisë, kështu që menjëherë sapo i ra në vesh fjala për kurset që organizonte World Vision në Librazhd, aplikoi dhe ndoqi kursin për riparim paisjesh elektro-shtëpiake. Kursi për të nuk ishte aspak i vështirë, madje shpeshherë kishte dashur të ndiqte një të tillë, por mundësitë ekonomike të familjes ishin të pakta. Doli 1 nga 2 më të mirët e profilit të tij. Mbaroi kursin e bashkë me certifikatën dhe shumë sekrete profesionale, organizata i siguroi edhe valixhen me veglat e punës. Ishte gati të punonte. Rreth 4 muaj lëvizte në këmbë, atje ku kishte nevoja e atje ku zanatçinjtë me emër nuk shkonin se paisjet i rregullonin vetëm në dyqan.

Për të rruga në këmbë ishte jo vetëm e lodhshme, por edhe nuk arrinte të rregullonte më shumë se një paisje në ditë. Por pas disa muajve arriti të gjente një zgjidhje. Me lekët që mblodhi gjatë punës së muajve të parë, por dhe me ndihmën e disa kushurinjve bleu një motorr të vogël që thotë se e ka si shok. Që prej atëherë ofron shërbimin lëvizës në të gjithë Librazhdin, duke filluar nga Prrenjasi, Miraka, Polisi, Stërbleva e shumë fshatra të tjerë. Më i largëti ka qenë Sopoti.

Fshati më i largët që kam qenë është Sopoti. Kur kam qenë për herë të parë, kishin dalë me mushka, ecëm 2 orë në këmbë dhe ndenja 4 ditë në shtëpitë e fshatarëve se nuk i mbaroja dot së rregulluari të gjitha paisjet që ishin prishur. Rregullova 4 frigoriferë dhe 3 lavatriçe. Ata nuk i sjellin dot në qytet se nuk ka rrugë. Kurse herët e tjera shkoja vetë pastaj më merrnin në telefon dhe më thoshin pak a shumë çfarë problemi kishte paisja. Mundohesha të imagjinoja me vete çfarë pjesësh mund të më duheshin dhe i merrja me vete” – tregon ai.

Përpiqet që kur ka mundësi të takojë edhe shokët, por sa herë e takojnë, janë gjithmonë e më të habitur sepse Klodiani ka qenë tip i urtë në shkollë e sot që ka arritur të njohë gjithë Librazhdin, iu duket e çuditshme.

Nga ana tjetër, prindërit i gëzohen zanatit të të birit. Ata janë të lumtur që djali i madh nuk iku në kurbet, por fiton të ardhura dhe mund t’ia mësojë zanatin edhe vëllait më të vogël. Ka filluar ta marrë që tani me vete, por thotë se nuk e ka shumë qef këtë zanat, megjithatë do mundohet t’i mësojë gjithçka di sepse sido që t’i rrotullohet jeta, e ka një zanat për veten e vet.

Por djali nga Librazhdi po përpiqet të realizojë edhe një tjetër ëndërr. “Për të ardhmen kam dëshirë të kem një dyqan në Librazhd, të vogël sa për të mbajtur veglat e materialet që mos t’i mbaj në shtëpi sapo të nisem vetëm për një pjesë në Elbasan se gjithsesi unë do shkoj nëpër fshatra e nëpër shtëpitë e njerëzve me motorr”- përfundon ai rrëfimin me shpresën se ky nuk do të jetë një plan afatshkurtër.  

 

Klodian Rreshka ka qenë pjesë e kurseve profesionale DRFPPE ( Drejtoria Rajonale e Formimit Profesional Publik Elbasan ) e organizuar nga World Vision në qytetin e Librazhdit. Janë trajnuar rreth 200 të rinj dhe gra, kryesisht në degët: hidraulik, mekanik, rrobaqepësi, ndërtim, berber, kuzhinë, parukeri). Sot janë të vetëpunësuar rreth 200 persona.

 Ky projekt ka nxitur dhjetëra të rinj të tjerë që kanë filluar privatisht kurse profesionale.