Trajnimi/ 31 mësues të Edukimit Fizik certifikohen për të punuar me fëmijët me aftësi të kufizuara

31 mësues të Edukimit Fizik dhe punonjës psiko-social nga shkolla të Kamzës, Tiranës dhe Durrësit morën sot pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për përfundimin me sukses të trajnimit «Edukimi fizik i adaptuar për nxënësit me aftësi të kufizuara».

Duke parë përfitimet që sjell sporti në zhvillimin fizik e mendor të fëmijëve, por edhe në nxitjen e gjithëpërfshirjes dhe bashkëveprimit në shkollë, World Vision Albania bashkëpunoi me Universitetin e Sporteve të Tiranës për të ofruar një trajnim të dedikuar kryesisht për mësuesit e Edukimit fizik, por edhe për stafet psiko-sociale të shkollave. Trajnimi iu vjen në ndihmë profesionistëve, që përmes përdorimit të sportit, të mund të ndihmojnë në zbatimin e Planeve Edukative Individuale për fëmijët me aftësi të kufizuar.

“Përgjatë vitit 2022, World Vision ka patur një vëmendje të shtuar në mbështetjen e shkollave për përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme sportive. Në kuadër të punës sonë me të rinjtë, mbi 1140 adoleshentë janë përfshirë në mënyrë direkte në aktivitete të tilla. Ne angazhohemi që të vijojmë mbështetjen e përfshirjes së fëmijëve dhe të rinjve në aktivitete sportive, si një mënyrë që i nxit ata për të përqafuar jetesën e shëndetshme dhe aktive. Sporti i ndihmon ata të kalojnë kohë cilësore, por njëkohësisht edhe i bashkon të rinjtë”, u shpreh Gerta Hagen, Drejtore e Programit dhe Ndërtimit të Partneriteteve, World Vision Albania.

Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për mësuesit e trajnuar, ishin të pranishëm edhe Z.Endrit Hoxha, Zv. Ministër i Arsimit dhe Sportit dhe Prof. Dr. Agron Kasa, Rektor i Universitetit të Sporteve të Tiranës, të cilët nënvizuan gjithashtu se sporti është një mjet i domosdoshëm për zhvillimin e fëmijëve.

Përgjatë viteve, World Vision Albania ka bashkëpunuar me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për të ofruar një mjedis gjithëpërfshirës në shkolla.  Duke punuar ngushtësisht me strukturat shkollore, me Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar, me mësuesit, prindërit dhe nxënësit, World Vision Albania ka investuar në mënyrë të vazhdueshme për përmirësimin e infrastrukturës shkollore, në rritjen e kapaciteteve të stafeve mësimore, si edhe në zhvillimin e aktiviteteve që nxisin krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës në shkolla.