Sipërmarrja në dorën e një gruaje

272303583_1720778514763954_2946125122438754244_n

“Në dy vite e kam dyfishuar sipërfaqen e serës dhe aty mbjell perime tre herë në vit. Këto sera janë burimi kryesor i të ardhurave në familjen time.”- thotë Edlira nga Cërriku. 

Edlira me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj 16 dhe 12 vjeç banojnë në një fshat pranë Cërrikut. Aktiviteti kryesor me të cilin familja ka siguruar  jetesën ka qënë bujqësia, por një ditë ata vendosën  të linin gjithçka dhe të niseshin drejt Gjermanisë. Vajza në atë kohë shkonte në klasën e katërt ndërsa djali në klasën e parë. Fëmijët lanë shkollën në mes dhe u nisën me familjen drejt Gjermanisë në kërkim të jetës së ëndërruar. Përveç problemeve ekonomike dhe dëshirës për të siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre, shkaku kryesor që e nxiti familjen të merrte këtë rrugë ishte edhe nevoja për një ndërhyrje kirurgjikale që Edlira kishte si pasojë e një problemi shëndetësor në këmbë.

Pas mbërritjes në Gjermani ata u vendosën në një banesë sociale dhe fëmijët rifilluan shkollën. Qëndruan atje rreth një vit, derisa në janar të vitit 2016 morën përgjigjen që kërkesa e tyre për azil u refuzua. Ndërkohë, Edlira ishte regjistruar për të realizuar ndërhyrjen dhe po priste të vinte dita e operacionit, por pas marrjes së përgjigjes negative, e gjithë familja u detyrua nga autoritetet gjermane të kthehej në Shqipëri. Rikthimi ishte shumë i vështirë për të gjithë dhe vështirësitë ekonomike ishin edhe më të mëdha pas borxheve që kishin marrë për të emigruar drejt Gjermanisë. Bashkëshorti filloi punë me ditë, por jo çdo mëngjes kishte fat që të gjente një punë, kështu që të  ardhurat nuk i siguronin familjes qëndrueshmëri financiare. Edhe Edlira filloi të punonte në serat e bashkëfshatarëve të saj, por sërish jetesa ishte shumë e vështirë për ta.

Një ditë Edlira dëgjon për projektin RE-IN-VEST që kishte në fokus riintegrimin ekonomik të të kthyerve nga emigracioni. Pa asnjë hezitim, ajo regjistrohet në trajnimet që organizata Diakonia Agapes po realizonte për këtë qëllim dhe ndjek me interes të veçantë të gjitha seancat e trajnimit. Në fund nëpërmjet një granti përfiton mbështetje financiare për të ngritur serën e saj. Kështu, në parcelën e tokës afër shtëpisë, preu disa drurë të vjetër pjeshke dhe ndërtoi serën e parë me sipërfaqe 150 m2. Serën e mbillte tre herë në vit dhe prodhimet që merrte ishin të bollshme. Ajo firmosi edhe një kontratë me grumbullues perimesh, kështu siguroi tregun për të gjitha prodhimet e saj. Duke parë ecurinë dhe punën, ajo u mbështet sërish për të rritur sipërfaqen e serës. Kështu vitin e dytë, u financua për ndërtimin e një tjetër sere, këtë herë me sipërfaqe prej 165 m2, së bashku me një sistem ujitjeje të integruar. 

Edlira, pjesën më të madhe të ditës e kalon në serë, por shprehet se nuk ndjen lodhje pasi tani punon në pronën e saj. Ajo synon që në të ardhmen ta zgjerojë edhe më shumë sipërfaqen e serës, pasi të ardhurat që siguron ia justifikojnë punën dhe lodhjen. E gjithë familja është e kënaqur me jetën e re dhe thonë se nuk është në planet e tyre të ardhshme të emigrojnë sërish.

Projekti RE-IN-VEST financohet nga Qeveria Gjermane, mbështetet nga GIZ Albania dhe zbatohet nga World Vision Albania në partneritet me Diakonia Agapes.  Ky projekt synon të mbështesë familjet e rikthyera nga emigracioni në 10 bashki të Shqipërisë në procesin e rimekembjes së tyre socio-ekonomike.