Shkolla e Marios

fa6ae166-324b-4758-8d1d-6930b4a8dfd4

Mario është tetë vjeç. Në moshën 3-vjeçare ka pësuar një aksidentuar dhe që prej asaj kohë është në karrige me rrota. Ëndrra tij më e madhe është që të vazhdoj shkollën!

Shkoj me dëshirë në shkollë, më pëlqen shumë. Kënaqem kur të luaj me shokët, që vërtet i dua dhe me duan shumë”– tregon Mario.

Ai jeton në zonën e Kënetës në Durrës dhe është në klasën e dytë të shkollës “Neim Babameto”, që prej vitesh ka problematika të mëdha në infrastukturë, veçanërisht në atë për fëmijët me aftësi të kufizuara, si në rastin e tualeteve të shkollës. Këto arsye i kanë shtyrë jo pak prindër të kësaj zone që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, t’i mbajnë fëmijët në shtëpi, t’i dërgojnë ato në shkolla larg shtëpisë së tyre ose në shkolla private, duke shtuar vështirësitë për këto familje, që nga përdorimi I transportit publik, e deri tek pamundësia financiare.

“Shkolla ka patur shumë vështirësi në infrastrukturë për Marion, kjo e bënte shumë të vështirë që ai të shkonte në shkollë në mënyrë të rregullt. Por tani gjërat po përmirësohen, tualetet po përshtaten, shkolla është miqësore, mësuesit ndihmës, hapësirat zhvillimore, etj. Të gjitha kanë ndikuar që ai të këtë akoma më shumë dëshirë të shkojë në shkollë.” – thotë Rajmonda, nëna e Marios.

Përmirësimi i infrastrukturës së shkollës veçanërisht për fëmijët me aftësi të kufizuara ishte një kërkesë e prindërve dhe e drejtorisë së shkollës, ndërsa World Vision dhe bashkia Durrës iu bashkuan atyre për t’i mbështetur finaciarisht në projekt, nëpërmjet procesit të mini-granteve të programit të Edukimit. Aktualisht në shkollën ku studiojnë 1200 fëmijë është bërë rregullimi tërësor i tualeteve dhe përshtatja e tyre për fëmijë me aftësi të kufizuar, restaurimi i kopshtit “Neim Babameto” dhe ndërtimi i një salle multifunksionale si pjesë e projektit “Binomi shkollë-komunitet në funksion të diversitetit”.

Prej shtatorit Mario tashmë po ndjek rregullisht shkollën në klasën e dytë.

 “Jeta sociale e Marios ka ndryshuar me kalimin e javëve. Ai ndërvepron më shumë me shokët e tij, po ashtu edhe me prindërit dhe mësuesit që kur ka filluar të frekuentojë shkollën. Ai gjithashtu qesh më shumë kur luan me shokët. Edhe fëmijët e tjerë kanë filluar të kuptojnë më shumë për të drejtat dhe nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuar”- shprehet Dritani, mësuesi i tij kujdestar.

Shkolla “Neim Babameto” është gjithashtu një prej 15 shkollave në të gjithë Shqipërinë e përfshirë në modelin e “Hapësirave Zhvillimore”, një model shërbimesh të integruara ku ne klasat e pajisura me material didaktike dhe terapeutike per zhvillimin e fëmijëve do të punojnë profesionistë të fushës për të krijuar kushtet më optimale për zhvillimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, por jo vetëm.