Falim ngrohtësi në ditë të ftohta

3_72 (1)

Para 15 vitesh, Adriatiku u largua nga qyeteti i tij i lindjes, Burreli, për tu vendosur në zonën e Bathores në Tiranë. 34 vjeçari është babai i katër  djemve për të cilët duhet të kujdeset. I ftohti i acartë ndihet në çdo kënd të shtëpisë së Adriatikut,  ku çatia është prej llamarine. “Para vitit të ri fryu një erë e madhe dhe shkëputi të gjitha llamarinat që kishim për çati. Tani jam munduar të vë disa të tjera, por i ftohti na futet gjithandej”, – tregon Adriatiku, i pafuqishëm për të bërë diçka më shumë.

 Për 34 vjeçarin dhe bashkëshorten e tij, e cila punon në një fabrikë kepucësh, aty afër, jetesa është shumë e vështirë. “Të ardhurat e vetme që ne kemi janë 15 mijë lekët që siguron bashkëshortja, pasi unë e kam të vështirë të gjej pune. Nuk kam asnjë zanat,” – thotë Adriatiku.

Adriatiku ka 4 djem. Më i madhi, Ramazani, 15 vjeç e ka lënë shkollën pa mbaruar as klasën e 7-të. Sabiani, është 12 vjeç. Ai shkon në shkollë, ndonëse jo rregullisht.

34 vjeçarit  i duhet të  kujdeset për 2 më të vegjlit, Adrianin, 6 vjeç dhe Alkidon, 3 vjeç. Në këto ditë të ftohta, kur temperaturat, në vend kanë shënuar deri në -16, ata kanë ndjerë mungesën e një banese të ngrohtë më shumë se kurrë. Prej disa vitesh kanë blerë një sobë drunjsh. Por drutë rrallë kanë mundur t’i blejnë. As këtë dimër nuk mundën…

Për t’i ardhur në ndihmë familjes së tij punonjësit e World Vision u dhanë batanije, dru zjarri dhe disa veshje të ngrohta.

Gjatë ditës së sotme, ne po i gjendemi pranë edhe 60 familjeve në Durrës, 70 familjeve në Librazhd dhe 100 në Dibër. World Vision është në terren duke biseduar me njerëzit për të kuptuar nevojat e tyre dhe po i mbështet me ushqime, veshje, dru zjarri, soba, ngrohëse dhe batanije. Gjithashtu, po bisedon me autoritet përkatëse për të gjetur zgjidhje afatgjata.