Njoftim për shtyp – Për herë të parë në Shqipëri lançohet platforma e vetme online për informimin e personave me aftësi të kufizuara

Njoftim per shtyp_E-platforma_31

Për herë të parë në Shqipëri lançohet platforma e vetme online për informimin e personave me aftësi të kufizuara.

www.platforma-pak.al është hapësira e parë online e dedikuar dhe e përshtatur për personat me aftësi të kufizuara që kanë vështirësi në shikim, dëgjim dhe lëvizje.

Legjislacioni shqiptar, terminologjia e përdorur, statistikat, rregullat e etikës si dhe pyetjet më të shpeshta mbi çështjet e aftësisë së kufizuar janë disa nga informacionet kyçe të kësaj platforme.

Rreth 68% e personave me aftësi të kufizuara raportojnë se nëpër bashki, KMCAP, qendra ditore dhe ato shëndetësore nuk ka aspak mundësi komunikimi të përshtatur për nevojat e tyre. Kjo është një ndër gjetjet kryesore të raportit të parë të Monitorimit të Planit Kombëtar për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara[1] të raportuar nga aktorë të shoqërisë civile, persona me aftësi të kufizuara ose familjarët e tyre në Dibër, Lezhë, Korçë dhe Berat.

Ky raport thekson se mungon komunikimi i përshtatur përmes gjuhës së shenjave, formateve audio, shkrimit Braille, apo formateve të thjeshtuara në të gjitha institucionet ku personat me aftësi të kufizuara duhet të marrin shërbime.

Eljona Boçe Elmazi, drejtoresha e World Vision Albania u shpreh: “Procesi i aksesit në informacion është kyç për të fuqizuar individin, familjen dhe komunitetin, në mënyrë që ata të kërkojnë të drejtat e tyre. Nisur nga nevojat e personave me aftësi të kufizuara, ne kemi kënaqësinë tju prezantojmë platformën interaktive të aksesueshme nga çdokush.

Ne si World Vision Albania jemi të përkushtuar që të mbështesim familjet e fëmijëve më në nevojë. Kjo platormë është një mjet teknologjik që iu ofron personave me aftësi të kufizuara, familjeve të tyre ashtu sikurse edhe shoqërisë civile informacion të aksesueshëm pavarësisht vështirësive në funksionalitet apo barrierave të ndryshme. I bëj thirrje personave me aftësi të kufizuara, familjeve të tyre, rrjeteve lokale dhe organizatave të shoqërisë civile të përdorin platformën “Aftësia e Kufizuar dhe Baraziapër tu informuar e më pas për të kërkuar të drejtat e tyre shërbime cilësore dhe të qënit pjesë aktive e shoqërisë civile në Shqipëri.

Platforma është një ndër nismat kryesore të projektit: “Forcimi i kapaciteteve të shoqërisë civile për zbatimin e të drejtave të njerëzve me aftësi të kufizuara në Shqipëri” që financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga World Vision Albania në partneritet me Fondacionin Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe MEDPAK.