Festivali i Rinisë 2020 – Të rinjtë për ndryshim dhe rimëkëmbje

Foto

29 dhe 30 Shtator – Dhjetra të rinj nga Shqipëria dhe Kosova nxorën në pah problemet kryesore të komuniteteve të tyre, ndërkohë që kërkuan mbështetje dhe investime strategjike për zhvillimin dhe rimëkëmbjen e zonave ku banojnë.

Edicioni i katërt i Festivalit të Rinisë u zhvillua për herë të parë virtualisht në kushtet e ‘normalitetit të ri’, si dhe në përgjigje të nevojës emergjente të familjeve t’u ringritur nga sfidat socio-ekonomike me të cilat po përballen pas tërmetit dhe pandemisë COVID-19.

Sipas raportit të vlerësimit mbi ndikimin e pandemisë COVID-19 në mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve në Shqipëri[1] rezulton se 76% e tyre nuk kanë përmbushur plotësisht nevojat për ushqim gjatë periudhës së qendrimit të detyruar në shtëpi; ndërkohë që papunësia u rrit me 10% dhe 43% e të intervistuarve pohuan se situata e krijuar ndikoi direkt në shitjen e produkteve të tokave të tyre bujqësore.

Përgjatë 2 ditëve të festivalit, përfaqësuesit e 2062 të rinjve nga 10 rajone[2] theksuan rëndësinë e zhvillimit ekonomik përmes rimëkëmbjes së ekonomisë familjare, mbështetjes së fermerëve, zhvillimit të turizmit malor e detar, agri-kulturës, bujqësisë, si sektorëve të tjerë të ngjashëm që kërkojnë vëmendje dhe investim.

Gjatë forumit në pjesën e dytë të festivalit ku morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor e qendror, agjensive, përfaqësive diplomatike, organizatave të shoqërisë civile dhe biznesit, drejtoresha e World Vision për Shqipërinë dhe Kosovën, Eljona Boçe Elmazi, ndër të tjera u shpreh: “Shumë është investuar ndër vite për të mbyllur “ngushticën” mes asaj çfarë sistemi ynë arsimor prodhon në terma të aftësive të aplikuara dhe çfarë është nevoja për zhvillimin ekonomik në Shqipëri, por COVID-19 përveç sfidave madhore që po vijon të sjellë në sektorë si shëndetësia, arsimi, mbrojtja sociale etj, duket se ka afektuar dhe do vijojë të afektojë dhe zhvillimin ekonomik të komuniteteve.

Ndërsa të rinjtë sot na sfiduan dhe kërkuan të investohet në zonat e tyre në mënyrë që ata mos të shohin emigrimin si zgjidhjen e vetme, duket që e ardhmja e punësimit do jetë duke u lidhur gjithmonë e më shumë me teknologjinë ku inteligjenca artificiale dhe përdorimi dhe menaxhimi i të dhënave, zhvillimi i produkteve teknologjike, shitjet, marketingu dhe përmbajtja digjitale duken se në të ardhmen e afërt do lidhen shumë fort me ekonominë e përkujdesjes dhe shërbimeve dhe “ekonomisë së gjelbër”.

Të gjithë këto terma ngjajnë kaq futuristë, por e ardhmja tashmë është digjitale dhe çështja që do doja të diskutoja sot me ju partnerë të nderuar është se si mund të vijojmë partneritet tona së bashku që mundësi të tilla t’ia sjellim sa më afër këtyre të rinjve që përfaqësojnë 2026 të rinj nga gjithë Shqipëria dhe Kosova, por edhe çdo të ri në Shqipëri dhe Kosovë.”

Këto ishin temat kryesore ku u fokusuan të rinjtë për të vënë në lëvizje të gjithë aktorët përgjegjës të shoqërisë e duke sjellë në vëmendjen  e dy paneleve të diskutimit mekanizma  për përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje dhe përfshirjen sociale të komuniteteve më në nevojë drejt procesit të rimëkëmbjes.

 

Për informacione të mëtejshme kontaktoni:

World Vision Albania and Kosovo

Vasilika Bargjo – Senior PR & Communication Officer – E-mail: vasilika_bargjo@wvi.org

[1] https://www.worldvision.al/gjetjet-kryesore-te-vleresim-mbi-ndikimin-e-covid-19-ne-mireqenien-e-femijeve-dhe-familjeve-ne

[2] Dibra, Durrësi, Elbasani, Kamza, Korça, Kurbini, Librazhdi, Lipjani (Kosovë), Lezha, Maliqi, Shkodra