Andrew Morley, CEO World Vision International: “Të ecim drejt misionit tonë, të mbrojmë fëmijët nga dhuna!”

Mesazhi i Presidentit të World Vision International dhënë në 20 vjetorin e World Vision në Shqipëri dhe Kosovë. 

“Përshëndetje! Unë jam Andrew Morley, President i World Vision International. Përshëndetje, të gjithë kolegëve të mi në World Vision Shqipëri dhe Kosovë!

Jam krenar dhe i privilegjuar që të ndaj këtë mesazh sot me ju, teksa festoni dy dekada shërbese të çmuar, duke punuar që fëmijët të jenë të mbrojtur nga dhuna dhe duke transformuar jetët aty ku nevoja është më e madhe. Ju e filluat punën në Shqipëri, në një moment kthese në histori, në mbështetje të fëmijëve që largoheshin nga lufta në Kosovë, duke partnerizuar me kishat lokale dhe duke siguruar mjetet e jetesës për refugjatët.

Por puna juaj nuk u ndal këtu.

Kur refugjatët u kthyen në Kosovë, ju ndoqët nevojën aty ku ishte dhe filluat programet edhe këtu. Nuk ishte vetëm një mbështetje e drejtpërdrejtë, por ju iu përkushtuat paqes.

Ndreqja e marrëdhënieve të thyera dhe sjellja e komuniteteve së bashku, janë gjërat që World Vision di të bëjë më së miri. 

Për sa i përket sfidave që hasim sot, të thyhet zemra nga fakti që 7 në 10 fëmijë në Shqipëri përjetojnë dhunë.

Por ajo që njëkohësisht të inkurajon është, kur sheh se si puna juaj është shtrirë në Shqipëri dhe Kosovë në dy vitet e fundit, ku po i shërbeni 30 mijë fëmijëve përfitues të drejtpërdrejtë në të dyja vendet; duke përmirësuar mirëqenien e më shumë se 50 mijë fëmijëve, por nëpërmjet programeve të avokatisë përfitojnë akoma më tepër.

Teksa ju festoni këtë 20 vjetor si arritje, edhe unë ju bashkohem në festimin e kësaj historie mbresëlënëse dhe shoh me shpresë drejt të ardhmes mbresëlënëse, teksa i bëjmë ballë sfidave të kohëve që po ndryshojnë rreth nesh. 

Ne e dimë se Perëndia ka në plan gjëra të mrekullueshme për ju dhe për World Vision, duke na fuqizuar, që të shkojmë përtej asaj që mund të imagjinojmë. Unë dua të ndaj një varg nga Bibla, Efesianëve 3:20: “Perëndisë që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë.”

World Vision është një familje shumë e madhe dhe së bashku, ne e mbështesim njëri-tjetrin, që të ecim drejt misionit tonë: Të mbrojmë fëmijët nga dhuna! T’iu mundësojmë atyre që të arrijnë potencialin që Perëndia iu ka dhënë!

Kështu, unë dëshiroj t’ju përgëzoj dhe të falënderoj secilin prej jush, nga thellësia e zemrës time, për gjithçka që bëni në shërbim të fëmijëve.

Faleminderit dhe Zoti ju bekoftë!”