Vendimi që më ndryshoi jetën

“Kur isha i vogël, shkollimi dhe shumë gjëra që kam sot nuk ishin opsion për mua. Ishim një familje shumë e varfër, prindërit nuk punonin dhe jetonim me qira në një shtëpi thuajse të rrënuar. Sikur të mos mjaftonte kjo, në disa raste jemi paragjykuar vetem se i përkasim komunitetit egjiptian,”- kështu e nis rrëfimin e tij Shpëtimi, 16-vjeçari që jeton në Dibër bashkë me dy motrat dhe prindërit e tij.

Por, siç thekson vetë ai “Zoti nuk të lë vetëm gjithmonë”. Hap pas hapi, me vullnetin e tij të fortë dhe mbështetjen e duhur, Shpëtimi i ka mposhtur sfidat duke i dhënë një tjetër rrjedhë jetës së tij dhe të familjes së tij.

 “Që fëmijë kam qenë i regjistruar në programet e World Vision Albania në qytetin e Peshkopisë. Merrja pjesë në çdo aktivitet që organizohej dhe kjo më ndihmoi të ndryshoj perspektivën time për jetën,”- na rrëfen i riu, pavarësisht se fillimet ishin plot sfida.

Në klasë të shtatë, vështirësitë ekonomike ishin aq të mëdha, sa një moment Shpëtimi dhe motra e tij u detyruan që të braktisin shkollën, pasi familja nuk siguronte dot nevojat bazë.

“Nuk kishim para për të paguar qiranë, për ushqime, veshmbathje dhe fakti që unë dhe motra duhej të shkonim në shkollë dukej si luks për familjen tonë të varfër. World Vision në bashkëpunim me qendrën Alfa Omega na erdhi në ndihmë, duke siguruar gjithë mjetet e nevojshme për vazhdimin e shkollimit. Krahas ndihmës me materiale shkollore dhe veshmbathje, ndihma më e madhe ishte në ndryshimin e mëndësisë për rëndësinë që ka arsimimi. Prej asaj dite, ne nuk jemi shkëputur asnjëherë nga shkolla. Arsimi është çelësi që hap dyert e së ardhmes,”- na tregon i emocionuar 16-vjeçari.

Sot, Shpëtimi e ka kuptuar rëndësinë e madhe që ka edukimi dhe është një zë i fortë në mbështetje të kësaj kauze. Përmes përfshirjes në grupet IMPACT, i riu është bërë pjesë e disa nismave komunitare për fuqizimin dhe mbështetjen e fëmijëve dhe adoleshenteve.

16-vjeçari është pjesë e grupeve IMPACT dhe duket se ka një të ardhme premtuese edhe si muzikant.

“Pas rikthimit në shkollë, kohën që e harxhoja duke u endur rrugëve e mbushja me aktivitete edukuese, sociale apo argëtuese. Më janë besuar disa role drejtuese tek aktivitetet që organizata bënte nëpër shkolla dhe komunitet.  Pasi u riktheva në shkollë fillova të mësoj anglishten me kurse pranë qendrës Alfa Omega. Aty zbulova se kisha talent në muzikë dhe tashmë jam pjesë e një grupi muzikor si baterist. World Vision na ka mbështetur me mjete muzikore në mënyrë që të gjithë nxënësit të kenë mundësi të shprehin talentet e tyre dhe potencialin e tyre të plotë,” – thekson djaloshi dibran.

Pavarësisht se ende ndjen dhëmbje që shihet ndryshe nga të tjerët, Shpëtimi ka dale mbi paragjykimet. Ai është një qytetar aktiv që jep kontribut në cilësinë e jetës shoqërore të komunitetit ku banon. Aftësitë dhe kompetencat e fituara e kanë fuqizuar për përfshirje aktive në jetën sociale, por edhe për të zhvilluar vlera dhe qëndrime pozitive.

“Nëse nuk do të ishte ndërhyrë në jetën time, do të isha një i ri që endet rrugeve, i pafuqizuar dhe pa aftësitë e duhura për të qenë i pavarur në jetë. Por pavarësisht sfidave, unë tashmë jam një person që ia dal vetë. Vazhdoj gjimnazin, jam anëtar i grupeve të shkollës, marr nisma komunitare dhe po zhvilloj talentet e mia,”- e mbyll mesazhin e tij djaloshi nga Dibra.

World Vision Albania punon me rreth 300 të rinj në zonën e Dibrës, duke i ndihmuar të zhvillojnë dhe forcojnë aftësitë thelbësore për jetën, të rriten si individë, të ndërtojnë marrëdhënie konstruktive dhe të zhvillojnë të menduarit kritik.