Grejsi “zbulon” veten, miqtë dhe faljen

Grejs ok (1)

A e njohim ne sa dhe siç duhet veten tonë? A kemi guximin të zbulojmë dëshirat, ëndrrat apo edhe frikërat tona? Kush jam unë dhe ku e shoh veten në të ardhmen? Cilën rrugë duhet të ndjek për të realizuar ëndrrat e mia? Cilat janë pikat e mia më të forta? 

Prej dy vitesh, 30 fëmijë dhe adoleshentë nga 4 klube IMPACT në bashkinë Kurbin, kanë diskutuar për këto dhe tema të tjera, në përpjekje për të njohur më thellë veten e tyre, por edhe miqtë. Trajnimi “Guxo të zbulosh” u ka siguruar atyre hapësirën e duhur dhe mundësinë për të reflektuar në lidhje me aspekte të ndryshme të jetës, të karakterit dhe të ëndrrave që ata kanë. 

Grejsi, 14-vjeçarja e cila prej dy vitesh është pjesë e Klubit të të rinjve IMPACT në shkollën e saj thotë se trajnimi ka lënë gjurmë të rëndësishmë tek ajo, duke i dhënë një tjetër këndvështrim për jetën dhe të ardhmen. 

“Çfarë kam ndryshuar? Kam vëne re që pas këtij trajnimi mendimet e mia kanë ndryshuar dhe temat e zhvilluara kanë nxjerrë në pah një anë të karakterit tim, të cilën as vetë nuk e njihja; atë të një vajze sociale e të guximshme dhe jo të ndrydhur në vetvete e të turpshme. Mund të përmend dy ndër temat më të veçanta, të cilat ishin “Falja” dhe “Influencuesit”, ku mendimet e mia para trajnimit janë krejt të ndryshme me ato që kam tani. Tashmë mendoj se të falësh është gjë e bukur, dhuron shpresë dhe forcë. Tek tema “Influencuesit”, ne mësuam se ajo çka është më e rëndësishme mbetet mendimi dhe gjykimi ynë, sado që të jemi nën presionin e imponimit nga të tjerët për dukuri të caktuara, ne gjithmonë duhet të mbajmë një qëndrim tonin,” – thekson e reja nga grupet IMPACT. 

Grejsi shprehet se trajnimi e ka ndihmuar atë dhe bashkëmoshatarët e saj të jenë më të vëmendshëm, më të kujdesshëm, ta dëgjojnë dhe pranojnë njëri-tjetrin, si dhe të respektojnë mendimet ndryshe. 

“Diversiteti në grup na bëri të kuptojmë dhe të pranojmë njeri-tjetrin pa barriera dhe të krijojmë një urë bashkëpunimi midis nesh, dhe kjo ka dhënë rezultate të sukseshme në detyrat që kemi patur.  Një pikë kyçe e trajnimit që do mbetet gjatë në memorien tonë është edhe trajnimi se si të bëhemi projektues të së ardhmes së komunitetit tone. Larmia e temave, përveçse na ka rritur vetëbesimin, ka ndikuar edhe në formimin tonë personal,”- thotë 14-vjeçarja, ndërsa thekson se po pret me padurim takimin e radhës. 

Sipas Grejsit, lojërat, diskutimet dhe koha që kishin në dispozicion për të reflektuar, i ndihmuan fëmijët dhe adoleshentët që të jenë më të qartë për objektivat e tyre dhe me më shumë vetëbesim për të vazhduar udhëtimin e jetës.