Heroi i shkollës Skuraj

Zef Pjetri

Zef Pjetri është babai i 4 fëmijëve, por prej thuajse 27 vitesh është “prind i dytë” dhe për qindra fëmijë që kanë studiuar gjatë viteve në shkollën 9- vjeçare të fshatit malor Skuraj, në Kurbin.

56-vjeçari i cili prej 27 viteve është drejtues i shkollës së këtij fshati, i ka dedikuar jetën e tij arsimimit dhe mirëqenies së fëmijëve. Për profesorin edukimi i fëmijëve, edhe nëse jeton në një fshat të largët malor, nuk lidhet vetëm me mësimdhënien në bankat e shkollës.

Edukimi i fëmijëve dhe shërbimi ndaj komunitetit dhe ku unë jetoj e punoj është pasioni dhe misioni im i përhershëm. I lutem Zotit të më shtojë aftësitë dhe fuqitë që, edhe me ndihmën e World Vision, këtë detyrë ta kryej sa më mirë e sa më gjatë!”- na tregon profesor Zefi.

Kohë më parë fëmijët e kësaj shkolle rrezikonin jetën sepse ura ishe e shkatërruar thuajse tërësisht dhe detyroheshin që të kalonin në anë tjetër të lumit me varkë. Më mbëshetjen e World Vision u bë e mundur rindërtimi i urës, por ishte pikërisht profesor Zefi ai që nxiti dhe mobilizoi banorët e zonës duke dhënë i pari shembullin e një kontributi vullnetar.

(Profesor Zef Pjetri gjatë punës për rindërtimit e urës së fshatit Skuraj)

Përreth 1 muaj kam mobilizuar banorët e fshatit Skuraj në rikonstruksionin e urës. Ishte një prioritet i të gjithëve pasi rrezikohej jeta e fëmijëve. Tani fëmijët kalojnë të sigurtë lumin që ndante fshatin nga rruga kryesore.”– na tregon ai.

(Ura e Skuraj përpara rindërtimit)

Për 20 ditë me rrallë, me turne të përcaktuara, 30 banorë iu bashkuan nismës që sot fëmijët e shkollës Skuraj të kenë një rrugë të sigurtë për të vajtur në shkollë. 

(Profesor Zef Pjetri gjatë punës për rindërtimin e urës së fshatit Skuraj)

Sot ura e rindërtuar nëpërmjet projektit të “Lehtësimit të Biznesit” i vjen në ndihmë jo vetëm fëmijëve, por dhe shumë fshatrave të Malësisë së Kurbinit për të shkëmbyer prodhimet e tyre bujqësore.

(Ura e fshatit Skuraj sot)

Misioni i profesor Zefit mbeten fëmijët dhe dëshira që ata të ecin përpara në jetë nëpërmjet arsimit. Me iniciativën e tij dhe me ndihmën e World Vision dhe Bashkisë Kurbin, sot shkolla 9-vjeçare ka një ambienti sportiv të mbuluar, i cili përdoret për orët sportive, aktiviteteve festive të fëmijëve të shkollës.

(Palestra e fshatit shkollës 9-vjeçare në fshatin Skuraj)  

Ai është njeriu më i rëndësishëm i shkollës 9-vjecare Skuraj. Një profesor i cili ndihmoi shkollën tonë të bënte hapa të mëdha dhe të rëndësishme. Shkolla jonë tashmë ka çdo gjë që i nevojitet, sepse profesor Zefi apo drejtori ynë në bashkëpunim me World Vision ka bërë që shkollës tonë mos t’i mungojë asgjë. Eshtë personi i cili ka kërkuar me gjithë fuqinë e tij barazimin e shkollës tonë me shkollat e qytetit që ne nxënësit të ndihemi sa e mirë. Ai ka qenë dhe do të mbetet heroi i shkollës Skuraj”- thotë për profesorin Kristiana, nxënëse në klasën e 9-të në shkollën Skuraj.

Në komunitet profesor Zefi njihet për kujdesin e madh që ka edhe për familjet e fëmijëve të ndryshëm që shkojnë në shkollën e tij, e se vazhdimisht adreson problematikat e tyre.

“Idetë dhe kujdesi për shkollën dhe komunitetin nuk i lindin vetëm nga truri, por edhe nga zemra. Profesor Zefi, gjithmonë fjalë pak e punë shumë”- thotë Dritan Margjoni banor i fshatit Skuraj.

I përkushtuar dhe me ideale, profesor Zefi është një nga ata mësues, nga ata heronj “të heshur” që çdo ditë kontriboujnë për të një të ardhme më të mirë të fëmijëve dhe komunitetit.

Gjatë vitit 2018, World Vision ka punuar me 538 mësues në 85 shkolla në vend.