Nga Xhesika, Tiranë: Këshilla për të qenë të sigurtë online

Xhesika Pasha

Interneti si një mjet komunikimi dhe argëtimi mbart avantazhet dhe disavantazhet e tij. Sot interneti ofron një gamë të larmishme informacioni, ku ne mund të zgjedhim atë më të përshtatshëm për ta përdorur për nevojat tona.

Mundësia për t’u argëtuar online është e pakufizuar, larmishmëria e madhe e lojrave dhe programeve të ndryshme të argëtimit, bën që dita-ditës fëmijët dhe të rinjtë të jenë të afeksionuar pas navigimit online, por gjithashtu përdorimi i pakontrrolluar i internetit sjell dhe efekte  negative.   

Mbajta e fëmijëve të sigurt në internet vazhdon të mbetet një sfidë, ndër rreziqet që fëmijët përballlen janë vjedhja e identitetit online, ekspozimi ndaj ndikimeve të padëshirueshme, etj.

Është e rëndësishme t’u kujtojmë fëmijëve se çfarë informacioni është i sigurt për t’u ndarë internet në mënyrë që kjo t’i mbajë ata të sigurtë.

  • Kurrë nuk duhet të shpallim se ku jemi, ku po shkojmë, ose ku do të jemi. Kur ne zbulojmë specifikat se ku jemi ose çfarë po bëjmë, jemi të pambrojtur.  
  • Gjithashtu është shumë e rëndësishme që të mos pranojmë kërkesa të miqve të huaj apo të panjohur në faqet e rrjeteve sociale dhe të kontrrollojmë profilin tonë në mënyrë që informacioni  të shpërndahet vetëm me kontakte të miratuara nga vetë ne.  
  • Prindërit janë ata që duhet të bisedojnë me fëmijët në një mënyrë pozitive dhe optimiste dhe t’i edukojnë ata se si funksionojnë rrjetet sociale, hapat dhe shqetësimet e mundshme që mund të lindin.
  • Është e rëndësishme që fëmijët ta dinë se ku të drejtohen për ndihmë nëse është e nevojshme dhe fëmijët të mos frikësohen  kur paraqiten sfidat por të flasin hapur.
  • Prindërit mund të veprojnë si një burim për të ndihmuar në sigurimin e internetit më të sigurt për fëmijët e tyre. Mbajtja e përditësuar dhe e informuar për çështjet dhe trendet aktuale mund t’i ndihmojë të kuptojnë se çfarë po përjetojnë fëmijët në internet.

Interneti mund të jetë një vend i mrekullueshëm për fëmijët, një vend ku mund të lidhen me miqtë e tyre, të mbledhin informacion dhe të shijojnë përvojën online. Qëndrimi i sigurt gjatë online mund të jetë sfidues, por nuk është e pamundur.