Nga Laura, Dibër/ “Me lot në sy”

tears2

U quajt Fitore, por s’pati asnjë të tillë në jetë! Sytë e një vajze të vogël, të cilët shihnin përtej ëndrrave dhe aspirateve, sytë e një vajze që qeshin sa herë shikojnë fëmijët e tjerë tek luajnë, edhe pse e di mirë se pas kësaj buzeqshjeje fshihen gishtat drejtuar asaj, duke e mënjanuar nga të gjithë.

Fitorja është një vajzë me aftësi të kufizura nga qyteti i Peshkopisë. Ndryshe nga fëmijët e tjerë, ajo ka kaluar shumë sfida që i’a kanë bërë jetën më të vështirë. Në një moshë shumë të vogël, Fitorja kaloi temperaturë të lartv për shkak të paaftësisë së mjekëve specialistë. Temperatura e  lartë i shkaktoi deformime të shtyllës kurrizore dhe probleme të shumta në rritjen dhe zhvillimin e vajzës. Pas kësaj ngjarjeje fatale, e gjithë pesha dhe përgjegjësia i kaloi së ëmës. Zonja Rudina, nëna e Fitores tashmë duhet të kujdesej për vajzën e saj të sëmurë.

“Çdo ditë vuaj, duke mallkuar ditën që e cova vajzën time në duart e një stafi të paaftë mjekësh. Ato më thanë se vajza nuk kishte asgjë, por thjesht po kalonte një gjendje të zakonshme gripale. Nëse do të mund të kishim ndërhyrë në kohë, vajza ime nuk do të ishte në këtë gjendje”- thotë zonja Rudina e përlotur.

Sot Fitorja është 16 vjec. Ajo nuk mund të flasë. Çdo gjë për të duket e pamundur. Ajo nuk mund të qëndrojë as edhe një minutë pa përkujdesjen e së ëmës. Duhet të ketë gjithmonë një njeri pranë vetes që: ta ushqeje, ta lajë, ta veshë dhe ta nxjerrë shëtitje…

Për fat të keq, Fitorja nuk pati mundësi të ndjekë shkollën, gjë që e ka penguar edhe me zhvillimin dhe rritjen e saj. Ajo nuk mundet dot as të shkruajë dhe as të lexojë. Problemi i saj më i madh është se Fitorja është e përjashtuar nga shoqëria. Ajo nuk shoqërohet me askënd dhe të gjithë e largojnë nga vetja. Kur biseduam me zonjën Rudina, ajo tregonte se përvec vështirësive për rritjen e vajzës, duhet të mendonte eshe për fjalët e të tjerëve.”Të gjithë fëmijët largohen të trembur nga vajza dhe madje edhe bërtasin nëpër rrugë. Shumë prindër vijnë dhe më thonë se nuk duhet ta nxjerr vajzën jashtë. Ka pasur raste kur më kanë detyruar të rri brenda, pasi fëmijët e tyre frikësohen nga ime bijë”.

Rasti i Fitores, është me të vërtetë i vështirë dhe shumë prekës, jo vetëm për të, por edhe për ata që e dëgjojnë. Ishte e domosdoshme për të gjithë ne, që të konsultoheshim me një psikolog. Ai na shpjegoi se fëmijët me aftësi të kufizuar janë të predispozuar për tu ndier të përjashtuar nga shoqëria. 

Për fëmijët me aftësi të kufizuar, imazhi i secilit prej nesh është shumë i rëndësishëm. Fëmijët me aftësi të kufizuara fizike janë të vetëdijshëm për faktin se fizikisht janë të ndryshëm nga të tjerët dhe që ka disa gjëra që ata nuk mund t’i bëjnë. Për këtë arsye ata mund të bëhen edhe pre e fëmijëve të tjerë, me fyerje, përjashtime nga lojërat dhe grupi. Rasti i Fitores, është një rast i vecantë që kërkon përqendrim dhe vëmendje. Ështe shumë e domosdoshme, që vajza të mos ketë kontakte të herëpashershme me fëmijë të cilët tremben prej saj, pasi kjo gjë do të ndikonte në gjendjen e saj emocionale. Ështe mirë që Fitorja të gjejë mbështetje nga të tjerët, si dhe të rrijë pranë njerëzve. Kjo gjë do e ndihmonte që të ambientohet më shumë me botën e jashtme. E rëndësishme është të përqëndrohemi në atë që ajo mund të bëjë e jo në atë çfarë nuk arrin të bëjë.

Fitorja është një fëmijë i qeshur, që gjithmonë i pëlqen të dalë jashtë dhe të jetë e lirë. Dëshiron të luajë me të tjerët dhe të ketë shokë e shoqe. Sipas psikologut, fakti që Fitorja është një vajzë me aftësi ndryshe e përjashtuar nga shoqëria, do ia bëjë jetën edhe më të vështirë.

Në një vend si ky i yni, të jesh me aftësi ndryshe ashtu si Fitorja, do të thotë të të vijë zor të dalësh nga shtëpia, të mos jesh në gjendje të shprehësh mendimet dhe idetë e tua, të mos kesh mundësi të ndërveprosh me të tjerët, të jesh i përjashtuar fizikisht, të përballesh me shpenzime të jashtëzakonshme shëndetësore, të mos jesh në gjendje të kapërcesh rrugën, të mos kesh mundësi të përfitosh nga shërbimet rehabilituese, të përballesh me bullizmin në kopshte dhe shkolla, të mos jesh në gjendje tu japësh “zë“ shqetësimeve të tua dhe të të përqeshin dhe të jesh i diskriminuar në hapësira publike. “Të jetosh me një aftësi të kufizuar do të thotë që përditë do të të duhet të luftosh për mbijetesë”- shprehet psikologu i shqetësuar në lidhje me këtë rast tepër të vështirë.

Problemet e kësaj vajze sa vijnë e shtohen. Askush nuk përpiqet të hedhë qoftë edhe një hap për t’i ndihmuar. Gjendja e rënduar ekonomike ka bërë që Fitorja të hasë edhe më shumë vështirësi. Zonja Rudina e ka shumë të vështirë të përkujdeset për të bijën e vetme, pa ndihmën e askujt dhe me gjendjen ekonomike ku ndodhet. Sot kjo nënë e vetme, kjo grua e vuajtur kërkon ndihmë qe vajza e saj të bëjë një jetë krejt normale si të gjithë fëmijët e tjerë dhe të mos ndihet e përjashtuar nga shoqëria.